Baku, 11 mars 2011, NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në kuadër të një vizite zyrtare në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku është takuar me Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, Ministrin e Jashtëm, si dhe përfaqësues të biznesit vendas. Në qendër të takimit me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe rritja veçanërisht e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, e posaçërisht atë energjetike.
Presidenti Aliyev mbështeti plotësisht krijimin e një komisioni të përbashkët ndërqeveritar, i cili do të adresojë axhendën e përbashkët të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Drejtim i rëndësishëm i forcimit të bashkëpunimit ekonomik u identifikua krijimi i bazës ligjore dhe në këtë aspekt u ra dakord që së afërmi të nënshkruhen dy marrëveshje, ajo e nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve dhe heqja e taksimit të dyfishtë.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e gazsjellësit trans-Adriatik (Trans Adriatik Pipeline – TAP).
Sipas bashkëfolësve ky projekt ka avantazhe ndaj projekteve të tjera konkurruese të korridorit jugor (South Stream), të cilat lidhen me koston e ulët, kapacitetet transportuese që përputhen me kapacitetet prodhuese të Azerbajxhanit, rrugën më të shkurtër për t’u transportuar në Itali, etj.
Ministri i Punëve të Jashtme Haxhinasto u takua me homologun e tij azerbajxhanas Elmar Mammadyarov, ku bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin për intensifikimin e kontakteve dhe konsultimet mes dy Ministrive të Jashtme.
Dy ministrat e Jashtëm nënshkruan marrëveshjen për heqjen vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
“Ky hap”, u shprehën Ministrat e Jashtëm, “do t’i paraprijë marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve”.
Gjatë vizitës në Baku, Zëvendëskryeministri Haxhinasto pati një takim me Kryetarin e Parlamentit, Ogtay Asadov, ku u vlerësua se diplomacia parlamentare përbën një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe forcon më tej marrëdhëniet miqësore midis popujve.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Baku, zëvendëskryeministri shqiptar pati edhe një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit Artur Rasi-zade, ku u diskutua mbi bashkëpunimin në fushën ekonomike, energjetike, turizmit, arsimit, etj.
Në takimet e mbajtura në Baku u diskutua edhe mbi zhvillimet rajonale, për të cilat Haxhinasto bëri një prezantim të zhvillimeve në Ballkan, duke theksuar se Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm dhe pavarësia e saj ka kontribuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Në përfundim të vizitës, Ministri i Jashtëm Haxhinasto u takua me Presidentin e SOCAR (kompania azere e gazit dhe naftës), Rovnag Abdullayev, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi projektin TAP.
Presidenti Abdullayev vlerësoi projektin e TAP-it dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për realizimin e tij.
Në këtë kontekst zoti Haxhinasto tha se qeveria shqiptare i kushton një rëndësi të veçantë këtij projekti dhe e ftoi Presidentin Abdullayev për një vizitë në Shqipëri për të parë diskutuar më konkretisht mbi projektin TAP.
mit/NOA