Tiranë, 11 mars 2011, NOA- Partia Socialiste reagoi lidhur me deklaratën e ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth.
Nëpërmjet anëtares së Kryesisë Linidta Nikolla, selia rozë shprehu falënderimet për deklaratën e ambasadorit, që sipas kësaj partie kishte të bënte me shqetësimet e ngritura prej kohësh nga Partia Socialiste.
Nikolla deklaroi se ambasadori Wollfarth u ndal ashtu sikurse PS, në shkeljet e Kodit Zgjedhor dhe mosrespektimin e afateve ligjore në përditësimin në listat e zgjedhësve.
Gjatë fjalës së saj Nikolla tha: “I bëjmë me dije gjithashtu opinionit publik që Sistemi Kombëtar i Regjistrit të Gjendjes Civile administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Drejtori e cila jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë në mënyrë që teknikisht procesi i përditësimit në listat e zgjedhësve të ishte konform Kodit Zgjedhor dhe në respektim të plotë të afateve ligjore, por akoma dhe më tej ka krijuar një tymnajë informacioni në zyrat e gjendjes civile”.
Sipas saj kjo gjë është bërë në mënyrë që të shkaktohej shformimi i rezultatit zgjedhor.
Më tej anëtarja e Kryesisë socialiste shtoi se edhe për këtë fajin e ka Saliu.
Në emër të selisë rozë ajo garantoi opinion publik dhe çdo votues, që do të bëhet e mundur që në këto lista të denoncohen të gjitha shkeljet që ministri Lulzim Basha dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kërkojnë të bëjnë, me synimin e vetëm të një procesi zgjedhor jo të ndershëm dhe të manipuluar.
a.y/NOA