Shkodër, 11 mars, NOA – Operacioni policor i koduar “Omar”, ka mundur të vërë në pranga një falsifikator, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale.
Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime të policisë së Shkodrës, bëhet fjalë për një hetimi 4-mujor ndaj një baze falsifikimi në fshatin Omaraj, në Malësinë e Madhe, i cili konkludoi me arrestimin në flagrancë të 39-vjeçarit Pëllumb Pali, lindur e banues në këtë fshat, i dënuar dhe më parë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Mësohet se provat materiale të sekuestruara janë dokumente të ndryshme të printuara me ngjyra, si siguracione mjetesh, leje drejtimi, pulla sigurie të certifikatave të gjendjes civile, pulla të ndryshme police sigurie etj.
Si edhe mjete të ndryshme teknike për prodhim të dokumenteve të falsifikuara, si aparat laminator, fletë plastike laminat, sasi e konsiderueshme kartash plastike, formular letre të ndryshme, bojëra, vizore metalike, bisturi etj.
Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të personit në fjalë, iu kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “Falsifikim të vulave, stampave e formularëve”, “Falsifikim të dokumenteve” si dhe “Falsifikim të akteve të gjendjes civile dhe prodhimit të mjeteve për falsifikim”.
n.e/NOA