Athinë, 11 Mars 2011 NOA – Një vajzë e mitur shqiptare është abuzuar seksualisht dhe më tej është detyruar të hidhet në rrugën e prostitucionit dhe pornografisë. Ajo është viktimë e një ish-punonjësi të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, sipas të dhënave që publikoi sot Policia e Shtetit në Athinë.
Polici shqiptar Shuaip (Vasillaq) Jonuz Lulja dje është arrestuar, kurse vajza rezulton e zhdukur. Dyshohet se ajo ndodhet në Itali ku është dërguar për të prostituuar, nga i arrestuari i djeshëm.
Hetimi ka nxjerrë se polici nga Shqipëria, e kishte përdhunuar një muaj rresht vajzën 15 vjeçare dhe e kishte dërguar më tej në Itali, për t’iu nënshtruar prostitucionit.
Arrestimi i policit shqiptar u bë në Kamares, në zonën e Egio – Achaia në Greqi ku prej kohësh ai banonte dhe i fshihej drejtësisë shqiptare.
Policia e Athinës pohoi se ndaj policit shqiptar ishte lëshuar një mandat kërkimi ndërkombëtar dhe ai po kërkohej nga Interpol. Tashmë i dyshuari gjendet në qelitë e burgut të Shën Stefanit.
Lajmin mbi kapjen e të dyshuarit e publikoi sot edhe Policia e Shtetit në Tiranë, por ajo fshehu faktin se ai ishte një ish-punonjës policie.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana zyrtarisht tha se nga Interpol Athina në Greqi, është bërë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Shuaip (Vasillaq) Jonuz Lulja, 44 vjeç, lindur në Shegas-Lushnjë.
Gjykata e Rrethit Elbasan, me vendimin nr.49, datë 03. 07. 2002, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga nenet 114/a, pika 5 e 6 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.