Ese politike
Në kontekst: për tri ngjarjet e fillimarsit, dhe për gjithë atë që mund të thuhet dhe shkruhet sepse, fjala s’është më e para por rendi dhe ligji, nëse shpikja më gjeniale e njeriut është shteti. Kësisoji, s’është mbi të gjitha as interesi personal dhe kolektiv, nëse këtë interes s’ka kush ta mbrojë. Epo, projektuesit e kaosit nuk duhet t’i lëmë të veprojnë. Por duhet pak më shumë zemër, dhe pak më shumë unitet…
Fehmi Ajvazi
Rasti, nuk është gjithmonë mbret i botës ! Fijet e padukshme që lidhin disa ngjarje në tokë, nuk koordinohen nga jashtëtoksorët dhe as nga dora mistike për faktin se bota jonë, është pakëz më e madhe se sa “mjeshtria e paidentifikueshme” e duarve të atyre që konstruktojnë dhe realizojnë ngjarje që na lënë pa fjalë. Pra, gjithmonë ka një pikë referimi, një vorbull, një linjë prej ku diçka nisë, diçka koordinohet qoftë edhe në rastet kur ngjarjet janë pak a shumë, natyrore. Sa i përketë asaj që ndodh rreth nesh dhe mes nesh, sidomos kur ngjarjet janë të shkaktuara nga faktorit njeri, na duhet të ndalemi (në rastin më të mirë) dhe të mos mbesim pa fjalë: t’i zbërthejmë mendimet dhe t’i ndjekim shtigjet që qojnë drejt hipotezave dhe fakteve, përballë asaj që ndodh! Më shkurt, të shohim pakëz më me seriozitet ta zëmë se, pse Aridi i vret në Frankfurt ushtarët e vendit që e ka ndihmuar aq shumë vendin e tij, të kuptojmë se pse ndodh një rrëmbim në Prishtinë, të kuptojmë poashtu se pse ndodh një vrasje në lindje të Gjilanit. Këto çështje të prekshme të realitetit tonë janë fokus i analistëve të specializuar, janë fokus i hetimeve të ekspertëve të fushave të ndryshme. Megjithatë, këto ndodhje s’mund t’i kalojmë ad-hoc. Këto janë tri ngjarjet e fundit rreth nesh dhe mes nesh, dhe që koinçidojnë të ndodhin vetëm brenda një jave të fillimarsit dhe që të trijat, janë padyshim komplekse në substancën e tyre. Janë komplekse nga aspekti etiko-moral, politik, penalo-juridik, ligjor etj.
Hirnosja
Ajo që dimë deri më tani, është fakti se të trija këto ngjarje i lidhë filozofia e krimit, pavarësisht nga motivet që bartin këto ngjarje. Krimi, është supstrati i së keqes njerëzore që shkakton paqartësi, regresion, që shkakton rrëmujë në siguri, në qeverisje dhe në çdo dimension tjetër qytetar dhe shtetëror. Nuk e dimë me saktësi nëse këto ngjarje që ende janë të nxehta, janë në ndonjë formë të koordinuara. Megjithatë, apriori duhet të pyesim se pse janë koinçidente në thelbin e tyre, pse janë shumë propaganduese nga aspekti i thelbit të ndodhjes së tyre, pse janë të afërta në substratin e tyre kompleks, pse janë atakuese në kohë dhe hapësirë ? Dhe, a ka veç motivit kriminal, edhe të tjera motive në thelbin e tyre ? Si të njëpasnjëshme, dhe nëse me të vërtetë ka edhe të tjera motive në thelbin e këtyre tri ngjarjeve (dhe ka), duhet të ketë edhe linja që nëse nuk janë të koordinuara mes tyre, së paku janë të afërta për nga synimi dhe për nga teknologjia e realizimit. Dy pika, veç aspektit kriminal, bashkojnë saktësisht këto tri ngjarje: nën një, komprometimi ynë në përmasa, dhe nën dy, pasqyrimi i Kosovës si shtet i brishtë. Pa shkaktuar fobi të justifikueshme, ne e dim që janë me qindëra e mijëra ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë që prej 12 qershorit 1999 dhe apsolutisht, pjesa më e madhe e tyre ose kanë pasur prejardhje politike dhe antishtetërore, ose tërthorazi kanë bartur këso mesazhe. E di që nuk jemi ndalur shumë në analizë dhe hulumtim të karakterit të ngjarjeve, të mesazheve të ngjarjeve, të qëllimit të tyre, të luftimit frontal të tyre por s’kemi pasur shumë kohë që të merremi me to, dhe as ingerenca pushtetore. Për t’i rënë më shkurt problemit, “Projektuesit e kaosit” (me adresë dhe pa adresë), e kanë terrorizuar vendin dhe shoqërinë tonë disa herë pa lënë gjurmë, disa herë në prapavijë dhe disa herë krejt hapur. Ne të gjithë jemi dëshmitarë, po aq sa jemi edhe përjetues të këtyre ngjarjeve të shumëta që nganjëherë na janë dukur sa të rutinshme dhe bezdisëse, po kaq të panjohura dhe misterioze për nga teknologjia e projektimit dhe e realizimit të tyre. Kur është fjala te tri ngjarjet e fundit ( vrasja në Frankfurt, kidnapimi në Prishtinë, dhe vrasja në Gjilan), besoj që nuk na duhet asnjë lloj analize dhe parallogarie për ta zbërthyer faktin se këto tri ngjarje, e kanë rënduar edhe më tutje imazhin e hirnosur të Kosovës. Nuk na duhet asnjë lloj fakti, për ta kuptuar tashmë edhe urrejtjen në rritje përballë kombit shqiptar, dhe përballë miliona emigrantëve shqiptarë. Nuk na duhet asnjë lloj konstatimi për ta qartësuar faktin se, devalvimi etiko-moral dhe politik por edhe institucional yni gjithandej në sy të komunitetin ndërkombëtar është në rritje, bazuar në linjat me ngjyra të hirnosura që pasqyrohen lidhur me ne, dhe për ne…!
Hirnosja, vjen gjithmonë nga dikah. Pra, nuk pikë nga qielli. Hirnosja, në çfarëdo prizme që ndodh, ndërton opinione negative për të mos thënë të frustruara gjithandej, rrallon segmentet e bashkëpunimit në mes të atyre që qeverisin, dhe në mes të atyre që qeverisen! Kjo gjendje (penguese), e bën të vështirë funksionalitetin e përditshëm qytetar dhe shtetëror, dhe shkakton regres e mosefikasitet në përmasa të caktuara. Në kuptimin e thjeshtë, zhvillimi shoqërorë dhe shtetërorë ngjan me zinxhirët apo me përrockat që bëjn lumin: këtputet një hallkë-dobësohet i gjithë zingjiri, shterret një përrockë-pakësohet lumi…! Prandaj, unë mendoj që duhet të kemi qeverisje me institucione të standardizuara, përpara se të kemi konkurencë politike dhe luftë për pushtet. Demokracia, është dhunti e mundshme politike mbi kritere të moralshme dhe të ligjësuara, që hapë orë e çast për shoqëritë dhe shtetet dirtare të panumërta prespektivash. Por demokracia, pengohet nga antidemokracia. Shoqëritë, damkosen nga projeksionet e errëta – meskine. Siguria e përgjithshme, nuk mund të jetë e kënaqshme kur ajo ndrydhet nga anormaliteti dhe, nga ndërhyrjet destruktive.
Që nga publikimi i raportit të mallkuar të Dick Martit në dhjetor 2010, publiku dhe qytetari evropian është xhindosur nga shpërthimi i këtij raporti, si dhe nga shpërthimi i analizave dhe komenteve nga më bastardet që gjithandej, kanë vërshuar mediat evropiane. Kaq është dashur për t’u hirnosur edhe më shumë fytyra jonë (në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup), jo pak e nxirë nga kompleksiteti i raporteve të brendshme politike dhe partiake, nga vëllavrasja, nga korrupsioni, si dhe dhe nga grupet mafioze që merren me krim të organizuar. Raporti, nuk është sfiduar sa duhet ta zëmë, në “zemrën” e kryeqytetit pa lum! Raporti i Dick Martit, na ka pasqyruar si fëmijë të braktisur, dhe si primitivë e të rrezikshëm! Por hirnosjet si kjo, janë të vjetra. Në vitet e tetëdhjeta, pastaj në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, etiketat për ne kanë qenë frontale: na etiketonin si nacionalistë, terroristë, si primitiv, si fundamentalistë etj. Ndërkaq, mendoj që s’jemi vetëm ne interesant dhe të predispozuar për t’u vënë në krye të ranglistës bazuar në sondazhet që masin të keqën, me një fjalë, namin e keq! Askush në Evropë nuk e damkos në shkallën që do të mundej bie fjala, realitetin e falimentuar shtetëror të Greqisë, përkundrazi po derdhen miliarda euro për t’ia shpëtuar imazhin e hirnosur këtij vendi. Askush nuk ndalet të piketoj me seriozitet ligjor dhe shkencor faktin se, përse në Evropë droga është kaq e kërkueshme, dhe përse prostitucioni është në shkallën që është…! Askush nuk e satanizon në shkallën që duhet linjën kriminale, e ku përfshihen mafia italiane, serbe, bullgare, turke, ruse, rumune, afganistaneze dhe e cila linjë kriminale po shkakton rrëmujë të vërtetë nëpër gjithë Evropën. Tjetra: nuk ishte dashur të qëndroj në pushtet (besoj unë), as tri ditë pas ngjarjeve në Kalanë e Shkupit, kryeministri aktual maqedon Nikola Gruevski, i cili po nxitë hapur konflikt fetar në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, në të vërtetë po nxitë konflikt politiko-fetar në mes të myslimanëve dhe ortodoksëve!
Dilemat
Këto dhe disa pyetje të tjera pa përgjigje, unë e kuptoj që nuk e shtendosin realitetin. Na mbetet disa herë që ne të merremi vetëm me pasojat, ndërkohë që ngjarjet mbulojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, nuk mund ta mbyllim mendjen dhe gojën, dhe as lapsin që të mos e kërkojmë të vërtetën, atë të vërtetë që të tjerët me fuqinë e tyre “ad acta”, e përdorin për interesat e tyre.
Tri ngjarjet e apostrofuara më lart, ka të ngjarë të jenë jo të rastësishme sepse, kanë linjë dhe janë goditëse në strukturë. Në hetimin e thellë të tyre, vërehen shenja të cilat nuk përkojnë me rastësinë. Bie fjala, Aridi gjuan në ushtarët amerikanë atje ku krismat dhe pasojat janë universale. Dy kidnapuesit në Prishtinë, dyshohet se kidnapimin e kanë bërë për para, ndërkohë që duken të mos jenë kidnapues të varfër apo, që vuajn nga gjendjet sociale! Vrasja e Leotirimit nga Uglari i Gjilanit, tashmë është kuptuar që ka linja etnike dhe dyshohet të jetë bërë nga struktura të sigurimit serbë, ose të ish sigurimit serbë. Epo, kush po prodhon kriza në këtë mënyrë, dhe kujt po i duhen krizat ? Klasa që mbron vendin-shtetin, që lufton me zemër t’i sfidoj kornizat e kaosit, që lufton t’i shtresoj traditat organizative-institucionale edhe kjo, goditet vazhdimisht nga brenda, dhe nga jashtë. Pra, synohet vazhdimisht hirnosja, pasiguria, joefikasiteti, përqarja, kaosi…Paralelishtë nga të gjitha këto që ngjajnë, janë devalvuar pa pardon kodet etiko-morale, kodet zakonore, traditat. Devalvohen primitivisht normat dhe ligjet juridike-kushtetuese qoftë nga pikëpamja e respektimit të tyre, qoftë nga pikpamja e zbatimit të tyre.
Demokracia dhe qeverisja demokratike, nuk nënkuptojnë anarkinë. Pse anglezët janë tradicionalistë kokëfortë ? Pse gjermanët janë institucionalist kokëfortë ? Pse serbët janë nacionalistë, pothuajse të çmendur…? Dy shqiptar, tri parti: vringëllon mbi kokat tona logjika e pluripartizmit, si dhe egoja agresive e “heroit individual”, i cili se di kur bëhet boll për asgjë! Heroi kolektiv, s’duket askund. Heroi kolektiv sot, s’është antiheroi liberalist! Aty ku më së paku duhet, në mediat e shkruara dhe vizuale konstruktohet përafërsisht “lufta civile” e shpifjeve, e papërgjegjshmërisë së mendimit dhe fjalës së lirë-publike, e gënjeshtrave, e prostitucionit etj. Tjetra: një rrëmujë parapolitike në institucione, në koluare dhe një betejë përngjasuese me mullinjtë e erës, mbisundon mentalitetin dhe identitetin tonë, gjithandej…! Të gjitha këto probleme po na teprojnë, në kuptimin për të mos krijuar kurrë vetëdije të qartë individuale dhe kolektive, edukatë institucionale-shtetërore, për të mos krijuar kurrë përgjegjësi publike dhe private, rend të ligjësuar, siguri. Dhe e tëra, është kaq e thjeshtë: të gjithë ne, duhet të kemi minimumin e vetëdijes për t’u marrë me punët tona dhe jo me punët e të tjerëve, për ta mbyllur gojën mirë e mirë dhe për të qenë të përgjegjshëm në atë që themi publikisht, për t’u bërë serioz dhe të kontrollueshëm përballë përgjegjësive tona publike dhe private. Pra, njerëzit e politikës dhe të shtetit me punët e politikës dhe të shtetit, njerëzit e kulturës me punët e kulturës, njerëzit e prodhimit me punët e prodhimit, njerëzit e sigurimit me punët e sigurimit, njerëzit e shkencës me punët e shkencës etj. Epo, ligji dhe shteti, mbi të gjitha…! Në fakt, për t’i dhënë më shumë ligjit dhe shtetit, se sa për t’i marrë…! Sepse, na duhet rend dhe jo kaos. Ç’të bëjmë pa rend…?
Sfidimi
Projektuesit e kaosit rreth nesh dhe mes nesh, janë shumë dhe kjo s’është fshehtësi. Mjafton ta kujtojmë “Shqipërinë e vitit 1997”, “Kosovën e marsit të vitit 2004”! Por, po vjen koha që duhet ta ndajmë fajësinë, që duhet të flasim haptas përballë kësaj që tashmë mund të quhet “hirnosje”. Pra, të kuptohen më mirë dhe më qartë fijet e kaosit. Kush, çka, si, pse…? Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, të sfidohen fijet e kaosit, kudo që shfaqet koka e tij. Tri ngjarjet e përmendura më lartë, janë linja jo të rastësishme edhe pse me gjasë, nuk janë të koordinuara. Tri ngjarjet e apostrofuara më lartë janë copëza politike-konspirative, edhe pse nuk duken të frymojnë si të këtilla. Prandaj, detyrohemi të shtrojmë pyetje, si: ç’po ndodh kështu…? Pa gjetur përgjigje të qartë, natyrishtë…! Madje, pa mundur të jemi të konsoliduar dhe efikas në detyrat dhe përgjegjësitë tona, sepse aty-këtu pranojmë me apo pa vdtëdije, të bëhemi fije të kaosit. Epo, edhe pa mundur të themi asgjë të arsyeshme dhe pa e kuptuar nëse jemi viktima, apo jemi kriminel! Në këtë mënyrë, imazhi ynë rrënohet. Dhe vetërrënohet: ca nga mungesa e vetëdijes, ca nga çmenduria për pushtet e pasuri, dhe ca nga fodullëku dhe çmenduria e atyre që s’janë mësuar kurrë t’i japin atdheut dhe shtetit asgjë, pos thikës pas shpine. Në këtë mënyrë, rreth e rrotull minjtë hedhin valle, sepse macet e fuqishme plaken para kohe, ose zhyten në ligatinë!
Fjala s’është më e para, por rendi dhe ligji, nëse shpikja më gjeniale e njeriut është shteti. Kësisoj, s’është mbi të gjitha as interesi personal dhe kolektiv, nëse këtë interes s’ka kush ta mbrojë. Epo, projektuesit e kaosit, nuk duhet t’i lëmë të veprojnë. Por duhet pak më shumë zemër, dhe pak më shumë unitet. Sidoqoftë dora e shtetit të Kosovës, ka vepruar në dy nga ngjarjet e apostrofuara: janë kapur kidnapuesit e Prishtinës, dhe po tentohet që kjo të bëhet edhe në rastin e Gjilanit. Kurse motivet kriminale, mbeten çështje të hetimeve. Ok. Dhe krejt në fund, dua të them që ka ardhur koha që “t’i japim Cezarit, atë që i takon Cezarit”, por jo edhe trupin e shpirtin. Shpirti i këtij shekulli, është mundësia sfiduese ekzistenciale e ndërtimit të virtyteve dhe e ndërtimit të mirëqenies brenda vetëdijes, dhe brenda edukatës shtetërore. Në një botë me përlotë dhunë e kriza, trupi dhe shpirti mbrohen dhe ushqehen në një konkurrencë reale individuale dhe kolektive, por gjithnjë brenda fuqisë së domosdoshme të shpikjes më gjeniale njerëzore: brenda shtetit. Kështu me gjasë ka qenë edhe në të kaluarën…