Tokio, 11 mars 2011, NOA – Përtej katastrofës natyrore që shkaktuan dallgët prej dhjetë metrash të larta të tsunamit që goditi brigjet e Japonisë duke shkaktuar të paktën tani për tani rreth 300 të vdekur, tërmeti i fuqishëm me magnitudë 8,9 të shkallës Rihter që goditi mëngjesin e sotëm Japoninë rrezikon të jetë potencial shkatërrimi për centralet bërthamore që ndodhen në këtë vend, një nga superfuqitë e botës.
Sikundër mësohet nga imazhet e drejtpërdrejta të mediave botërore nga tsunami në veriun e Japonisë pranë ishullit Hawai është goditur një anije me 100 persona në bord.
Agjencia atomike ndërkombëtare e OKB-së lajmëroi se katër centralë bërthamorë japonezë që ndodhen shumë pranë epiqendrës që tërmetit, janë bllokuar me sukses dhe tashmë po mblidhen informacione për strukturat bërthamore të shpërndara nëpër tërë vendin, të cilat mund të jenë një potencial i madh rreziku për shpërthimin nga tërmeti.
Qeveria japoneze, sikundër bën me dije BBC, ka shpallur gjendjen e emergjencës në centralin bërthamor të Onagawa në prefekturën e qytetit Miyagi, porse po sipas BBC-së procesi i ftohjes në një prej reaktorët bërthamorë nuk po ecën sikundër ishte parashikuar.
Sipas medias japoneze, tërmeti i sotëm është një prej tërmeteve më të fuqishëm që ka goditur Japoninë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 42 personave , një bilanc viktimash që pritet të rritet nga momenti në moment duke i shtuar edhe 100 personat e goditur nga tsunami në anije, gjë që e ka konfirmuar agjencia japoneze Kyodo.
Sipas agjencisë japoneze të lajmeve Jiji, 200-300 kufoma janë gjetur në një plazh pranë Sendait në ishullin Honshu në verilindje të Japonisë.
Mësohet se një mur uji prej 10 metrash ka shpërthyer dhunshëm në qytetin Sendai ku deti ka hyrë në afro pesë kilometra sipërfaqe toke brenda prefekturës Fukushima.
Sipas informacioneve që përditësohen nga mediat minutë pas minute në këtë zonë është përqendruar edhe numri më i madh i viktimave të tsunamit.
Por tsunami që goditi Japoninë rrezikon të godasë edhe vende të tjera si Rusinë, Filipinet, Indonezinë, Guinenë e re, Australinë, Meksikën, Guatemalën, Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panamanë, Hondurasin, Kilin, Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë e më pak alarm për tsunami ka për Taiwan dhe Zelandën e Re.
mit/NOA