Durrës, 11 mars 2011, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste turin e takimeve nëpër rrethe “Fajin e ka Saliu”, e ka ndalur në qytetin e Durrësit.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve Durrsak kreu i selisë rozë deklaroi se, përgjegjësia për 1 milion qytetarët e papunë, për shkollat, spitalet e Shqipërisë që nuk ju përgjigjen ëndrrave të shqiptarëve fajin e ka vetëm Saliu.
Kryeministri i vendit sipas kreut të opozitës është përgjegjësi kryesor i gjendjes së rëndë ekonomike të çdo familje shqiptare që nuk jeton në oborrin e pushtetit.
Ndër të tjera ai shtoi: “Fajin e ka Saliu dhe jo vetëm për qendrën e Durrësit që është marrë peng dhe për ato punime që në pak ditë do ti jepnin qytetarëve të Durrësit kënaqësinë e një qendre të rindërtuar por edhe për shumë çka tjetër. Fajin e ka Saliu për çmimet që rriten përditë, ndërkohë që fuqia e lekut në xhepat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi bie përditë. Fajin e ka Saliu për një ekonomi që goditet dita ditës, aty ku jetojnë familje të zakonshme të këtij vendi dhe për një pasurim marramendës, ditë për ditë të atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë.”
Drejtësi nuk do të ketë, shtoi Rama, duke vijuar se shkak për këtë është fakti se ajo është ulur dhe po bën ligjin e asaj që ai e quajti, fatkeqësisht qeveri.
Ndërkaq kryeopozitari nënvizoi se, drejtësia e 4 krimeve në 21 janar por edhe të gjithë krimeve të tjera qeverisëse do të bëhet e mundur vetëm nëpërmjet rrugës së PS, e cila do ulet në tryezën e qeverisë për të qeverisur në bazë të interesave të qytetarëve dhe jo të sundojë në favor të pushtetarëve.
Sipas tij vetëm hetimi i pavarur është ai që i hap rrugë demokracisë, vetëm në këtë mënyrë sipas Ramës do të zbardhet krimi shtetëror.
“Ne s’kemi asnjë iluzion se fajtorët do shkojnë përpara drejtësisë për sa kohë padrejtësia do jetë ulur dhe do bëjë ligjin në tryezën e asaj që gabimisht quhet qeveria e Shqipërisë sepse në fakt është pushteti vrastar i kusarisë”, u shpreh shefi i opozitës para qytetarëve të Durrësit.
a.y/NOA