Tiranë, 11 mars, NOA - E vënë në dijeni të ngjarjes së ndodhur në Tiranë, ku 45 familje rome janë detyruar të zhvendosen nga vendqëndrimi i tyre në fushën pranë Stacionit të Trenit, nëpërmjet kërcënimit dhe vënies flakë të barakave ku ata banonin, Ministria e Çështjeve Sociale ka reaguar menjëherë.
Siç ajo bën me dije për agjencinë e Lajmeve NOA, ka thirrur një takim të menjëhershëm me përfaqësuesit e strukturave shtetërore dhe shoqërisë civile për të marrë informacion më të plotë rreth ngjarjes dhe gjendjes në të cilën ndodhen këto familje.
Në këtë takim ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të Shërbimit Social Shtetëror, Policisë së Shtetit, Komisionerit për Antidiskriminim, të shoqërisë civile dhe organizatave rome, UNICEFI-t, si dhe përfaqësues të komunitetit rom të shpërngulur, u dënuan ngjarje të tilla të dhunës veçanërisht kur ato drejtohen ndaj individëve apo komuniteteve të veçanta, duke u shprehur se dhuna me baza etnike, fetare, sociale, gjinore, etj. dëmton jo vetëm individin apo komunitetin ndaj të cilit drejtohet, por edhe vetë shoqërinë.
Në fund, ministria e Punës kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit në takim dhe veçanërisht organizatat joqeveritare që asistojnë këtë komunitet që, në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunitetit, të paraqisnin menjëherë një raport të detajuar të situatës dhe nevojave të këtij komuniteti.
Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit deklaruan angazhim të plotë sigurimin e mbrojtjes për komunitetin dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë, me të siguruar denoncimin nga ana e ë dëmtuarve.
n.e/NOA