Tiranë, 11 mars, NOA – Zgjidhja e të gjitha problemeve ekzistuese të sistemit tonë të drejtësisë, qëndron në bashkëpunimin e munguar të të gjitha hallkave që e përbëjnë atë.
Kështu ka pohuar sot nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, duke apeluar se ka ardhur koha për të qenë të rreptë me pritshmëritë e qytetarëve ndaj gjykatave.
“Problemet e padrejtësisë duhet që të marrin fund. Nuk duhet të ekzistojë padrejtësia në drejtësi. Të gjitha çështjet që ekzistojnë në drejtësi, janë të rëndësishme, pasi ato lidhen me të gjitha problemet e tyre, të mirëqenies dhe ekzistencës. Ata janë dhe duhet të jenë të barabartë dhe të mbrojtur para ligjit”, theksoi Spahiu në fjalën e tij.
Duke vijuar më tej, se ka ardhur koha që të ndryshojë Kodi i Procedurës Penale.
“Ka një perceptim negativ të publikut ndaj sistemit dhe ekziston një nevojë emergjente për ndryshimet. Këto të fundit, duhet të nisin fillimisht nga heqja e imunitetit”, vuri në dukje Spahiu, duke shtuar se masa e fundit duhet të nisë pikërisht nga gjyqtarët.
“Gjyqtarët nuk duhet ta kenë imunitetin si mburojë”, përfundoi Spahiu.
n.e/NOA