Tiranë, 11 mars 2011, NOA- Ditën e sotme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u prezantuan maket për ndërtimin e Kompleksit të ri parlamentar. gjatë fjalës së saj në prezantim Kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se, “Përmes gjuhës së arkitekturës, përmes peshës së sovranit i materializuar në godinën e kompleksit që do të ndërtohet, Parlamenti i ri shqiptar, do të jetë një shans dhe për kryeqytetin e vendit”.
Sipas saj Kompleksi i ri parlamentar do të jetë monumenti i kombit dhe i demokracisë. Ndërkaq janë 12 maketet e paraqitura nga firmat më të njohura evropiane dhe botërore, përfaqësojnë ndër modelet më të arrira arkitekturore, nën një pamje moderne. Topalli prezantoi elementet e çdo moketi dhe deklaroi se ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, i cili nëpërmjet një programi të posaçëm elektronik, do të ketë të zgjedhë modelin e preferuar për godinën e Kompleksit të ri parlamentar shqiptar. a.y/NOA