Qoftë edhe për shkak të kontekstit të përgjithshëm dhe debateve politike, si dhe shqetësimeve që prezantojnë organizmat ndërkombëtare në raportet e tyre për Shqipërinë, imuniteti është një institut që meriton të trajtohet seriozisht në të gjithë problematikën e tij shoqëruar me nevojën për ndryshime në definimin e tij ligjor
Nga Ina Rama
Do preferoja ta nisja këtë përshëndetje me një falënderim. Një falënderim që i shkon fillimisht të gjitha organizmave ndërkombëtare OPDAT, EURALIUS, USAID, OSBE, ICITAP e PACA të cilët kanë iniciuar këtë proces tepër të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor që lidhet me drejtësinë penale në vendin tonë në mënyrë të veçantë në Kodin e Procedurës Penale.
Duke qenë të ndërgjegjshëm për një nivel të kënaqshëm të kuadrit ligjor në fuqi në vendin tonë, për ligje të miratuara përgjithësisht në ndjekje të modeleve të mira të vendeve me demokraci të konsoliduar, natyrshëm lind nevoja për ndryshim e përmirësim të këtij kuadri si një element i qasjes së sistemit tonë të drejtësisë drejt atij evropian.
Gjykoj se nevoja për ndryshime në këtë kuadër është tashme një realitet i maturuar plotësisht. Kodi i Procedurës Penale i miratuar në vitin 1995 dhe hyrë në fuqi në vitin 1996 , me gjithë ndryshimet e pësuara nga viti në vit, në tërësinë e tij shfaq nevojën për ndryshime të cilat, për shkak të shtrirjes së tyre në të gjithë fushën e zbatimit të tij, mund të konsiderohen si të tilla që prekin vetë kodin në tërësi.
I gjithë ky proces ndryshimesh, me të drejtë duhet të nisë nga evidentimi i problemeve. Me të drejtë evidentimi i problemeve duhet të bëhet në radhë të parë nga ata që zbatojnë çdo ditë këtë ligj, pra gjyqtarë, prokurorë, avokatë apo oficerë të policisë gjyqësore.
Sigurisht që problemet që duhen evidentuar e që kërkojnë zgjidhje janë të shumta e të shumëllojshme, ato do të jenë pjesë e diskutimeve e debateve në këto tryeza dhe më gjerë. Unë do të preferoja të ndalesha në disa problematika të ndeshura në mënyrë të spikatur veçanërisht në ushtrimin e funksioneve të një prokurori për ushtrimin e ndjekjes penale.
Qoftë edhe për shkak të kontekstit të përgjithshëm dhe debateve politike, si dhe shqetësimeve që prezantojnë organizmat ndërkombëtare në raportet e tyre për Shqipërinë, imuniteti është një institut që meriton të trajtohet seriozisht në të gjithë problematikën e tij shoqëruar me nevojën për ndryshime në definimin e tij ligjor.
Pavarësisht nga fakti se imuniteti është një institut kushtetues në Kodin e Procedurës Penale ai mundet të pësojë ndryshime të natyrës kufizuese të cilat, i japin mundësi prokurorit të zhvillojë hetime ndaj një personi me imunitet. Prokurori duhet të jetë i lirë të kryejë hetime duke përdorur metodat speciale të hetimit edhe ndaj një personi me imunitet, në mënyrë që të mundet të mbledhë ato prova të cilat mund të merren vetëm gjatë një hetimi të fshehtë.
Një aspekt i parregulluar në Kodin e Procedurës Penale mbetet fakti i ecjes së afateve të parashkrimit të ndjekjes penale për personat që kanë imunitet, gjatë kësaj periudhe. Ne qasje edhe të parashikimeve të legjislacioneve të ngjashme, këto afate duhet të pezullohen në këtë kuptim, me qëllim shmangien e institutit të pandëshkueshmërisë për shkak të pasjes së imunitetit dhe lënies së mundësisë së organeve proceduese për ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Një problem tjetër i rëndësishëm është ai që lidhet me të drejtën e prokurorit për të ushtruar ndjekjen penale. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia njeh prokurorit këtë detyre, Kodi i Procedurës Penale duhet të garantojë në dispozitat e tij që prokurori realisht të ushtrojë këtë funksion kushtetues e bazik për drejtësinë.
Kodi i Procedurës Penale përfaqëson normat që rregullojnë procesin e ushtrimit të ndjekjes penale, ai garanton për veç të tjerave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi nga abuzimi i forcës shtetërore. Për sa kohë që këto të drejta shkelen, procesi nuk është i drejtë por, qëllimi i miratimit të këtyre normave është garantimi i vendosjes së drejtësisë në përfundim si një element kyç për ekzistencën e shtetit të së drejtës.
Rastet e shkeljes së normave që pengojnë prokurorinë të ushtrojë ndjekjen penale duhet të jenë të shprehura qartë bashke me konsekuencën përkatëse. Ajo qe po haset rëndom në proceset gjyqësore penale sot, është përdorimi pa kriter i moszbatimit të rregullave procedurale për të penguar zhvillimin e një procesi gjyqësor normal në zbatim të parimit të barazisë së armëve dhe në funksion të dhënies së drejtësisë nga gjykata.
E shoh të drejtë që në këtë proces konsultimesh, rast pas rasti këto problematika duhet te evidentohen dhe të tentohet drejt modifikimit të përmbajtjes së tyre në mënyrë që interpretimi i tyre të jetë sa më afër atij literal.
Nuk është vendi për të hyrë në diskutime teknike, megjithëse do të preferoja ta bëja këtë, ajo që çmoj si të nevojshme në parim është fakti se për shkak të qëndrimeve të ndryshme të praktikës gjyqësore në lidhje me pasojat që prodhon shkelja e një rregulli të procedurës, është e nevojshme që vetë ligji të marrë përsipër të parashikojë qartazi pasojën që prodhon shkelja e një rregulli të caktuar sepse, secila palë duhet të dijë për shkak të ligjit, se cilat janë të drejtat e saj në një proces penal, përtej detyrimeve respektive.
Parimi i gjykimit të pandërprerë çmohet si një element i cili duhet të garantohet realisht nëpërmjet ndryshimeve ligjore që duhet t’i bëhen Kodit të Procedurës Penale. Organi procedues duhet të ketë realisht mekanizma ligjore efikase, për të ushtruar funksionet e tij në zbatim të këtij parimi.
Afati i hetimeve paraprake rezulton një institut që ka nevojë të pësojë ndryshime. Përgjithësisht afatet hetimore janë shumë të shkurtra dhe nuk lënë mundësi për zhvillimin e hetimeve proaktive e komplekse.
Kemi hasur vazhdimisht praktikën gjyqësore me problematikën e saj, me qëndrime të ndryshme për çështje të ngjashme. Vazhdimisht është ndjerë nevoja e njehsimit të praktikës gjyqësore e unifikimit të saj për çështje të ndryshme. Pavarësisht nga praktika që ka krijuar e vazhdon të krijojnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, çmoj se është e nevojshme mbledhja e tyre në mënyrë incidentale e iniciuar kjo edhe nga kërkesat e prezantuara nga prokuroria.
Mbështetur në nevojat që prodhon praktika e përditshme për qëndrime të unifikuara në të gjithë sistemin dhe për më tepër të njohura nga gjykata, njohja e prokurorit të Përgjithshëm të së drejtës për të thirrur Kolegjet e Bashkuara, me qëllim unifikimin e praktikes gjyqësor do të ishte zgjidhja e një sërë problematikave që hasën në hetim për të cilat nuk ka një qëndrim të unifikuar. Qëllimi është i zbatimit të drejtësisë në mënyrë të njëllojtë për të gjithë në çdo fazë të procesit penal. Ky element do të ndihmonte në shmangien e një sërë problemesh që lidhen me standardizimin e trajtimit të çështjeve.
Koha ime si përshëndetëse po mbaron, e kam të vështirë të shkëpus veten në të gjithë këtë diskutim nga të qenit juriste jo vetëm prokuror i Përgjithshëm. Si juriste ndihem me fat që propozimet për ndryshime po paraprihen nga një proces gjithëpërfshirës i të gjithë grupeve të interesit, që ata po kanë mundësinë të bëjnë prezent qëndrimet e tyre rreth asaj që pritet të ndodhë. Është një hap tepër pozitiv, që jam e bindur do të prodhojë një produkt të qëndrueshëm në të cilin do të gërshetohen më së miri, legjislacioni në fuqi me nevojat e sistemit të drejtësisë për përmirësim si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare.