Prof.dr. Atdhe Hykolli
Sado e përkryer të jetë analiza letrare a gjuhësore e një vepre, ajo jo vetëm që nuk mund të jetë shteruese dhe e gjithhershme, por më kryesorja nuk mund të zëvendësoj assesi ndikimin ideoemocionues që ofron vetë vepra “VAN GOGHU KOSOVAR” i autorit Ilir Muharremi, i cili para lexuesve të vëmendshëm solli një dramë, për të cilën redaktori i librit Mirsad Kuteli, recensentët: Haqif Mulliqi e prof. Dr. Zeqirja Neziri thanë fjalët e tyre në pasthënien e librit të sapodalë nga Shtypi, i cili tashmë është në duart e artdashësve.
Drama “VAN GOGHU KOSOVAR” e Ilir Muharremit ngërthen më vete nuanca tragjike dhe dramatike e që e karakterizon absurditeti, ekspresionizmi dhe ekzistencializmi i njeriut (piktor) kryeheroi 22-vjeçar-Rafaello, i cili përjetoi çaste të vështira jetësore gjatë periudhës së rinisë, gjë që i kushtoi shumë shtrenjtë në fazat e më vonshme të jetës, ku pati një sërë peripecish nga më të ndryshmet, meqë në vendin ku jetoj dhe veproi ndodhën një varg ngjarjesh të paparashikuara nga vetë kryeheroi Rafaello.
Pa mëdyshje Ilir Muharremi i përket plejadës së të rinjve të viteve 80-ta e të 90-ta, i cili si shumë bashkëkohës u lind, u shkollua dhe arriti të bëjë emër në kohën më të trazuar, kur kauza jonë kombëtare vihej në peshojë në arenën ndërkombëtare, kur pyetja hamletiane parashtrohej në parlamentet Shtetërore “të jesh apo të mos jesh” si popull i ndarë dhe i përçarë katërçipërisht, pa fajin tonë, por me kurthet famëkeqe të pushtuesve të njëpasnjëshëm.
Drama “VAN GOGHU KOSOVAR”, përmes kryeheroit Rafaello, shtjellon ngjarjen aktuale të njeriut bashkëkohor, i cili bie ndesh me katrahurat e jetës, të cilën e kanë kurdisur njerëzit karrieristë për pushtet për të arritur synimet e tyre, pa marrë parasysh pasojat që i vuan populli i pafajshëm, veçanta kryheroi Rafaello, i cili humb gjithçka (të gjithë anëtarët e familjes: (babai, nëna dhe motra), ndërsa ai përjeton plagë të rënda shpirtërore, gjë që tek ai shfaqen tiparet e Skizofrenisë. Rrjedhojë e gjithë kësaj drame tragjike është ndodhia e vitit 1999, kur në Kosovë populli i pafajshëm dhe i pambrojtur shqiptar ishte në mes kudhrës e çekanit, por falë UCK-së dhe aleatëve tanë më vonë gjithçka mori të mbarën. Por kryheroi Rafaello përjetoi edhe më shumë se sa heroi në “Ferrin e Dantes.
Vepra dramatike e Ilir Muharremit “VAN GOGHU KOSOVAR” trajton një temë universale, edhe pse ngjarja zhvillohet në vitet 90-ta në Kosovë. Këtë e dëshmon e dhëna faktike se vetë autori gërsheton elementet esenciale të përkatësive kombëtare: holandezi, italiani, shqiptari dhe serbi.
Pra,derisa tre të parët ( Holandezi, italiani dhe shqiptari) formojnë trinonin e bashkëjetesës njerëzore; elementi i katërt serbi paraqitet pushtuesi, Shpirtligu, katraligu,smirëziu,fatkeqi-serbi.
Pra, ky univerzializëm i Ilir Muharremit, i paraqitur përmes personazheve të kësaj veproje letrare, e josh kureshtjen e artdashësve për të lexuar po se po, por edhe për ta shikuar në skenë. Dhe, ne sot deri sa po e promovojmë këtu, po këtë vepër skenike kanë pasur rastin ta përjetojnë qysh më parë në teatër. Për këtë flet vetë vepra, e cila në 2007 ishte temë e magjistraturës së Ilir Muharremi, mbrojtur në Fakultetin e Arteve , dega e Aktrimit, në klasën e profesor Luan Dakës.
Dhe fare në fund mund të themi se kjo vepër , të cilën po e përurojmë sot, tashmë për shumëkë është e njohur pasi që artdashësit më parë kanë pasur rastin ta shohin në skenë si në Prishtinë, Maqedoni, Shqipëri dhe në Mal të zi.
Me këtë rast Ilirit i dëshirojmë shëndet dhe suksese të njëpasnjëshme.