Berlin, 12 Mars 2011 NOA/ DW - Anila Shuka - Ngjarja e 2 marsit në Frankfurt, ku 21-vjeçari nga Kosova qëlloi për vdekje ushtarë amerikanë, dëshmoi se as një shoqëri s'është imune nga ndikimet e dyshuara islamistë radikale.
Lind pyetja si mund të parandalohen raste të tilla?
Arid Uka veproi në mënyrë individuale dhe sipas hetimeve të deritanishme urrejtjen ndaj amerikanëve ai e mori në internet brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai nuk ishte i riu i parë mysliman i radikalizuar, por ishte i pari, që realizoi atentatin terrorist në territorin gjerman.
Dhe ajo, çka i shokoi shqiptarët, ishte jo vetëm fakti që ai ishte shqiptar, por edhe që urrejtja e tij ishte drejtuar ndaj amerikanëve. “Ky konstelacion është befasues”, thotë Konrad Clewing, ballkanolog nga Instituti i Evropës Juglindore në Regensburg.
Por ai thekson se fakti që atentatori ishte rritur në Gjermani dëshmon se kjo ngjarje është në radhë të parë një shenjë alarmuese për Gjermaninë, se sa për Kosovën, apo shoqërinë shqiptare në përgjithësi”.
Megjithatë Arid Uka nuk ishte aq larg identitetit shqiptar a kosovar. Ai shkonte për pushime në Kosovë dhe në profilin e tij në Facebook me emrin Abu Reyyann kishte vendosur hartën e Kosovës me një mbishkrim në arabisht, një fakt që shumë shpesh anashkalohet.
Arid Uka nuk ishte i vetmi, që adhuronte xhihadistët. Në internet gjenden shumë video dhe materiale të tjera shqipfolëse, që bëjnë thirrje për luftën e shenjtë, ose që nxisin një urrejtje të madhe ndaj krishtërimit.
Por opinioni kombëtar shqiptar është shumë i ndjeshëm, kur bëhet fjala për ndikimin e fesë islame dhe parapëlqen heshtjen, konstaton Robert Pichler. “Feja, e sidomos ajo islame, është një nga temat më të tabuizuara tek elitat shqiptare”, thotë studiuesi austriak. Sipas tij kjo ka të bëjë me doktrinën kombëtare të trashëguar nga koha e rilindjes.
Për Pichlerin “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është një nga mitet më të mëdha të shqiptarëve. “Problemi është se sa e hap këtë temë tek elitat shqiptare, menjëherë ato mundohen ta bagatelizojnë”, thotë ai. Të rinj në udhëkryq
Robert Pichler është marrë dhjetë vjet me radhë me ndikimin e fesë tek shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë. Docenti i Universitetit të Gracit është duke punuar aktualisht në një libër, që trajton pikërisht problemet e përkufizimit të identitetit të rinjve shqiptarë, që jetojnë në Austri.
Në këtë prizëm ai e sheh edhe rastin e Arid Ukës: “Ky është një fenomen, që më tepër ka të bëjë me globalizimin, migracionin, degradimin dhe çrrënjosjen sociale”, thotë Pichler. “Këtë përvojë e përjetojnë shumë të rinj shqiptarë, të cilët janë shkëputur nga konteksti i prejardhjes dhe kërkojnë të kenë orientim dhe struktura të qarta.
Nganjëherë këto struktura i ofron feja, sepse mënyra e të menduarit të saj është e thjeshtëzuar dhe skema është më tepër bardh e zi”. Fenomenin e humbjes së orientimit tek të rinjtë imigrantë në diasporë e njeh edhe imami i Hamburgut, Zulhajrat Fejzullahu. Ai është kryetar i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare. “Shumica e të rinjve, që vijnë tek ne e kanë të qartë identitetin e tyre: Ata janë me fe myslimane, me kombësi shqiptare dhe me qytetari të këtij vendi, ku jetojnë, këto janë komponentë, që bashkohen e në bazë të tyre ata orientohen. Por është e vërtetë që kemi njerëz, që kanë probleme dhe nuk dinë nga të orientohen e gjenden në udhëkryq. Ne mundohemi t'i ndihmojmë, por aty, ku hyn interneti, nuk kemi ndikim”, thotë ai. Islami i shëndoshë nëpër shkolla Imami i lindur në Shkup është vetë baba i pesë fëmijëve. Problemi sipas tij qëndron tek keqinterpretimet, që i bëhen fesë islame nëpër forume interneti, ku imamët nuk kanë mundësi të ndërhyjnë.
Për të parandaluar raste të tilla, imami i shkolluar në Sarajevë, Kuvajt dhe Kajro kërkon zyrtarizimin e mësimit të fesë islame nëpër shkolla dhe që shoqëria gjermane të sillet më natyrshëm me përkatësinë islame të bashkëqytetarëve të saj. “Shumë shpesh të rinjtë besimtarë bëhen me komplekse, sepse mediet tentojnë të raportojnë vetëm ngjarjet negative, që lidhen me islamizmin”, thotë Fejzullahu.
Këtë komplekse të rinjtë mundohen t'i kompensojnë nëpër forume interneti, shpjegon më tej ai. Kërkesa e tij: “Mësimi fetar islam duhet të futet në shkolla. Duhet të bëhet një program i njohur nga të gjithë e të jetë nën kontrollin e palës myslimane dhe të shtetit. Kështu ne mund t'u mësojmë atyre një islam të shëndoshë”.
Në këtë drejtim po ndryshon diçka. Vitin e kaluar në Gjermani filloi arsimimi i imamëve të parë në universitetet gjermane. Në shumë lande mësimi i fesë islame është lëndë fakultative në shkollë, por mendësia për të pranuar islamin si pjesë e shoqërisë gjermane ecën më ngadalë.
Vitin e kaluar presidenti gjerman Christian Wulff e thyeu tabunë e parë në këtë drejtim duke thënë qysh në fjalimin e tij të parë si president, se feja islame është pjesë e vetëkuptueshme e shoqërisë gjermane. Por ky mesazh ishte vetëm fillimi i një debati të gjerë.
Këtë e dëshmuan së fundi diskutimet, që u hapën brenda qeverisë gjermane, menjëherë pasi u bë e qartë që atentatori i 2 marsit ishte islamist. Ministri kristiansocial i porsazgjedhur Hans Peter Friedrich shfrytëzoi rastin për të hedhur poshtë sërish tezën e presidentit duke thënë se feja islame nuk bën pjesë në shoqërinë gjermane, duke e kthyer debatin sërish në gjysmëtabu.