Prishtinë, 12 mars, NOA - Takimi i radhës mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të mbahet pas dy javësh, në të njëjtin format, ka bërë të ditur shefja e ekipit të bisedimeve, Edita Tahiri.
Pas kthimit nga Brukseli, ku u zhvillua takimi i parë mes saj dhe shefit të ekipit serb, Borko Stefanoviç, zonja Tahiri ka përsëritur se nuk është arritur asnjë marrëveshje në lidhje me temat e diskutuara, meqë, siç ka thënë ajo, “Beogradi vazhdon të mos shkëputet nga mentaliteti i së kaluarës”.
Mospajtimet më të mëdha, sipas saj, vërehen kur preken interesat kombëtare.
“Kur zgjidhjet preknin interesat nacionale, asnjë palë nuk ishte e gatshme të lëvizë. Ne kemi shkuar me vija të kuqe; ky është një dialog teknik dhe nuk prek çështjen e statusit dhe të pavarësisë”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendojse ka organizuar një aksion sot në qendër të Prishtinës, duke kundërshtuar fillimin e bisedimeve me Serbinë.
Kjo lëvizje thotë se me hyrjen në bisedime, Kosova po i bën favor Serbisë për t’u integruar më shpejt në BE, ndërsa po dëmton vetveten.
NOA/RFE