Prishtinë, 12 mars 2011, NOA – Kryenegociatorja e Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi pas mbërritjes në Prishtinë se nuk është arritur asnjë marrëveshje në raundin e parë të bisedimeve me Serbinë, porse sipas saj janë arritur përparime me temat e diskutuara. Këtë deklaratë udhëheqësja e delegacionit kosovar për dialogun për çështje praktike me Serbinë e bëri sot në aeroportin e Prishtinës, menjëherë pas kthimit nga Brukseli, ku të martën e të mërkurën përkatësisht 8-9 mars u mbajt raundi i parë i bisedimeve me Serbinë.
Në një konferencë shtypi në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, zonja Edita Tahiri theksoi se “Në përfundim mund të them se nuk kemi arritur marrëveshje në asnjërën prej këtyre çështjeve, por mund të konstatoj se ka pasur përparime”.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u shpreh se “Dialogu do të vazhdojë. Interesimi ynë është që të mos jetë i gjatë ky dialog, por të përfundojë në një periudhë optimale, sepse objektivat e dialogut janë që të përmirësohet jeta e qytetarëve edhe në shtetin e Kosovës, por edhe në atë të Serbisë”.
“Ky dialog i shërben përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, por çka është më e rëndësishme ky dialog pritet të kontribuojë në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në Bashkësinë Evropiane dhe të njëjtën gjë edhe Serbia vetë e dëshiron, nënvizoi zonja Tahiri.
Udhëheqësja e delegacionit kosovar rikujtoi se “Takimi i parë midis dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt me 8 dhe 9 mars në Bruksel, them se kishte një rëndësi të madhe, për shkak se Kosova kreu një obligim ndërkombëtar, i cili buron nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e datës 9 shtator 2010”.
Ajo shtoi se ky dialog me palën serbe shënoi përparime interesante.
Sipas Tahirit dy palët u treguan mjaft konstruktive në përpjekjet për t’i dhënë zgjidhje çështjeve teknike me interes të përbashkët.
Ajo rikujtoi se u diskutua për regjistrin civil dhe regjistrin kadastral, dokumente këto që janë marrë nga Kosova që nga koha e okupimit serb.
Më tej zonja Tahiri tha se “të gjithë anëtarët e CEFTA-s do të jenë pjesëmarrës të barabartë, konstruktivë dhe mos t’i pengojnë njëri-tjetrit në forma të ndryshme”.
Më tutje zëvendëskryeministrja e Kosovës bëri me dije se “është biseduar edhe për vulat e doganave në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, për dy pikat doganore, 1 dhe 31, të cilat ballafaqohen me vështirësi për shkaqe të pengesave të ndryshme që i ka bërë Serbia me ndërhyrjen e strukturave ilegale paralele. Për të gjitha këto çështje brenda dy ditësh ne si palë dhamë idetë tona për zgjidhje, edhe pala tjetër dha idetë e veta”, shtoi ajo.
Zonja Tahiri pohoi se palë e tretë në këto bisedime ishte Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
mit/NOA