Shkup, 12 mars, NOA - Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, me ftesën e tij për dialog drejtuar vetëm liderit të partisë maqedonase opozitare LSDM, Branko Cërvenkovski, ka përjashtuar partitë politike shqiptare.
Në bojkotin parlamentar përveç LSDM janë përfshirë edhe partitë shqiptare të opozitës, njëra prej të cilëve PDSH po bojkoton legjislativin më shumë se dy vite.
Në ftesën e kryeministrit Gruevski është ftuar vetëm Cërvenkovski në takim dypalësh për të biseduar për çështjet e hapura në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky i fundit pranoi që të jetë pjesë e këtij takimi, mirëpo ai tërhoqi vërejtjen për organizimin e një takimi me pjesëmarrje më të gjërë të partive politike.
Partitë politike shqiptare nuk kanë reaguar ndaj këtij veprimi të Gruevskit, i cili me mos dërgimin e ftesave për krerët e tyre injoron dhe anashkalon kërkesat e partive shqiptare, të cilët janë futur në bojkot dhe kanë parashtruar kërkesat e tyre për rikthimin në Parlament dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjatë këtyre ditëve pritet edhe reagimi i spektrit politik shqiptar lidhur me këtë takim, që anashkalon partitë shqiptare.
NOA-INA