Tiranë, 12 Mars 2011 NOA/DW – Arben Muka - Në superligën futbollistike të Shqipërisë vitet e fundit është kthyer në një fenomen normal aktivizimi i lojtarëve nga Serbia. Më i fundit prej tyre është Milovan Milovic, i cili erdhi në fillim të vitit tek "Dinamo"
30 vjeçari Milovan Milovic ka një karrierë të pasur si futbollist profesionist në vendlindjen e tij. Ai është aktivizuar dhe me ekipet e “Partizanit” dhe “OFK” të Beogradit dhe deri në fund të vitit të kaluar luante me ekipin e “Vojvodinës” në superligën serbe. Është tipik profili i një mbrojtësi qendror energjik, që kalohet me vështirësi, sidomos në luftën në ajër. Aktivizimi i Milovic me kampionët në fuqi të “Dinamos” në Shqipëri ka të bëjë me një marrëveshje huazimi mes këtij klubi dhe “Vojvodinës”.
Tani, që ka kaluar rreth dy muaj në Tiranë, Milovic ndjen se ia ka vlejtur zgjedhja për t'u aktivizuar me një ekip shqiptar. Ai thotë për DW se ofertën realisht e ka vlerësuar pozitivisht qysh në fillim. Dalja jashtë fushave të blerta serbe për të luajtur me kampionët e Shqipërisë, sipas tij është një përvojë profesionale e vyer, por dhe përvojë shoqërore.
“Nuk është se dija diçka të veçantë mbi futbollin shqiptar përpara se të mbërrija në Tiranë. Vetëm kur erdha fillova të shikoj nga afër se çfarë ndodhte në kampionatin kryesor të Shqipërisë. Dhe impresionet e para ishin të mira, ashtu siç mendoj dhe tani, që ka kaluar kohë dhe di më shumë jo vetëm për futbollin këtu. Kontraktimet e natyrshme të fillimit me kolegët shqiptarë them me bindje se janë kapërcyer tashmë. Ndjehem sikur jam në ekipet e mëparshme, që kam luajtur në Serbi”.
Në Dinamo luajnë edhe dy bashkëkombës të tij
Familjarizimi i i tij për një kohë të shkurtër me terrenin shqiptar kishte një arsye favorizuese. Në ekip ai gjeti dhe dy bashkëkombës, që kishin mbërritur më herët në klubin dinamovit në Tiranë. Mlladen Brkic ka ardhur më herët, duke kaluar madje eksperienca dhe në dy ekipe të tjera të superligës shqiptare, “Apollonia” e Fierit dhe “Skënderbeu” i Korçës. Po në 11-shin dinamovit është dhe serbi tjetër Marko Putincanin. Ditët e para Milovan Milovic e kalonte më shumë kohën pas stërvitjes në shoqërinë e dy serbëve, por më pas ai krijoi raporte të mira dhe me djemtë e tjerë të ekipit.
“Çdo gjë shkon mirë me të gjithë. Nuk kemi asnjë problem dhe merremi vesh shumë mirë në fushë, në stërvitje, por dhe në kohën e lirë. Mua më pëlqejnë dhe udhëtimet jashtë Tiranës, kur na duhet të zhvillojmë ndeshjet sipas kalendarit të superligës. Njoh shumë dhe nga tifozët e ekipit, të cilët janë mjaft të zjarrtë dhe na motivojnë shumë, kur jemi në fushë.”
Futbollistët serbë ndjehen të trajtuar mirë në Shqipëri
Milovan Milovic shprehet se asnjëherë nuk ka menduar që do të ketë probleme në komunikimin me shqiptarët. “Unë jam futbollist profesionist dhe ajo, që di të bëj më mirë në jetë aktualisht, është zotërimi i topit dhe plotësimi i detyrave të trajnerit”, thotë ai. Frymën miqësore brenda ekipit dhe raportet konstruktive me fansat ai i vlerëson si dy pika kyce në arritjen e rezultateve dhe në demonstrimin e një loje cilësore.
Shoku i tij i skuadrës Marko Putincanin ka rreth 1 vit e gjysmë me “Dinamon” në Tiranë. Ai ka mendimin se në ekipet shqiptare lojtarët e huaj trajtohen shumë mirë, pavarësisht origjinës së tyre. Për këtë e kemi garantuar dhe Milovic-in para se të vinte në Tiranë, thotë Putincanin. Vetë ai para se të vinte tek “Dinamo” ka luajtur në Beograd më klubet e “Zemunit” dhe “Bezhania”-s. Por mua askush deri më tani nuk ma ka përmendur me përbuzje, ose dashakeqësi për origjinën time, shprehet ai për DW-në.
“Unë kurrë nuk kam hasur këtu ndonjë problem politik të themi. Mua nuk më ka interesuar dhe më intereson politika. Së dyti, mua askush nuk më ka pyetur për politikën. Jam këtu thjesht për të luajtur futboll.”
Krahas tre lojtarëve, që aktivizohen në këtë sezon me ‘Dinamon”, edhe në ekipe të tjera janë afruar lojtarë nga Serbia, duke e futur në normalitet vitet e fundit prezencën e tyre në tregun futbollistik shqiptar, qoftë në superligë, apo në kategorinë e parë.