Tiranë, 12 mars 2011, NOA – Ne jemi brezi i ri europian, ne jemi fytyra europiane e Shqipërisë. Vlerat që ne mbartim janë vlera europiane dhe kapacitetet që ne kemi, janë kapacitete evropiane...
Nga Lulzim Basha
Ju falenderoj për kërkesën që më bëtë për të mbështetur këtë aktivitet tuajin, këtë traditë të re dhe shumë domethënëse të degës shqiptare të Parlamentit Rinor Europian dhe si mikpritësi juaj t’i uroj mirëseardhjen gjithsecilit prej jush, në veçanti miqve që kanë ardhur nga vende të tjera të Europës, të Bashkimit Europian, punime të mbara, një sesion sa më të mirë dhe përzgjedhësin sa më të mirë për t’ju përfaqësuar në Bruksel dhe Strasburg.
Kjo sallë është e mbushur me energji, me një energji që karakterizon jo vetëm brezin e të rinjve, brezin tonë, por që karakterizon edhe njerëzit që kanë besim tek vetja e tyre, tek shoqëria e tyre, te kombi apo kombet e tyre dhe tek e ardhmja e tyre dhe këtë besim e kanë të lidhur ngushtësisht me Europën jo në kontekstin gjeografik të saj, por në kontekst vlerash që e bën Europën unike në planetin tonë.
Për vite e vite me radhë, për dekada, për shekuj ne shqiptarët kemi jetuar një kontradiktë, kemi vuajtur pasojat e një kontradikte të panatyrshme. Ne jemi një nga kombet më të vjetra të Europës, një nga qytetërimet më të vjetra të saj dhe kemi kontribuuar shumë në historinë, identitetin, kulturën, qytetërimin europian, por për një padrejtësi dhe katastrofë historike mbetëm jashtë Europës.
Sot kjo kontradiktë e panatyrshme është zgjidhur. Shqiptarët sot janë të lirë, si çdo qytetar tjetër europian, të lëvizin, të udhëtojnë, të japin e të marrin në kontinentin amë pa asnjë pengesë. Dhe sot çdo ditë e më shumë qytetarët e këtij vendi janë qytetarë europianë.
Nuk duhet të harrojmë se në harkun kohor të kësaj kontradikte të panatyrshme, që sot është zgjidhur, se jemi ne brezi që luftoi dhe punoi për të krijuar këtë shans historik, këtë shans të ri për çdo qytetar shqiptar dhe që sot po e përjetojmë atë në rrafshin individual, shoqëror e më tej.
Po e përjetojmë atë dhe dua të rikujtoj udhëtimin e parë pa viza në 15 dhjetor, i cili në harkun kohor nga momenti i nisjes nga aeroporti “Nënë Tereza” brenda pak orësh, i çoi protagonistët e këtij udhëtimi, 50 të rinj e të reja, studentë, maturantë, në ambjentet e Parlamentit Europian në Bruksel.
Nuk ishte as rastësi dhe as një planifikim protokollar. Ishte një bashkim, një ngjizje e dëshirës të këtyre të rinjve e të rejave që përfaqësojnë aspiratën e brezit të ri shqiptar dhe gatishmërinë e Europës për të hapur dyert, për të pranuar në institucionin themelor të demokracisë së saj, europianët e rinj.
Ne jemi brezi i ri europian, ne jemi fytyra europiane e Shqipërisë. Vlerat që ne mbartim janë vlera europiane dhe kapacitetet që ne kemi, janë kapacitete europiane.
Sprovat i kemi dhënë, do të vazhdojmë t’i japim, kjo pasi ia kemi dalë nëpërmjet këtij sprovimi që pamundësitë e të djeshmes t’i kthejmë në mundësitë e të sotmes, pamundësitë e të sotmes ne do t’i kthejmë në mundësitë europiane të së nesërmes tonë.
Prandaj, ne së bashku, brezi ynë, jemi garancia për të gjithë shqiptarët, garancia e përparimit të pandalshëm drejt integrimit të plotë në kontinentin amë.
Kjo është rruga jonë.
Në këtë rrugë ne as ndalemi, as kthehemi mbrapsht. Kjo është sfida jonë dhe ne e kemi përqafuar plotësisht. Ky është misioni ynë dhe ne do ta përmbushim atë.
Jepeni pra edhe një provë tjetër para bashkëmoshatarëve tuaj europianë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë dhe çfarë do të bëjmë për të arritur atje.
Ju uroj suksese, ju faleminderit!
*Fjala e Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha në sesionin e katërt të zgjedhjeve të Parlamentit Rinor Europian për Shqipërinë