English

PS: Djegia e banesave e dëbimi i romëve, turp i qeverisë

Tiranë, 12 mars, NOA - Partia Socialiste reagoi sot për dëbimin dhe djegien e banesave të disa qytetarëve të komunitetit romë në periferi të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi u shpreh se sjellje të tilla bëheshin vetëm në kohën e Millosheviçit në Kosovë.

“Ngjarje të tilla ndodhnin në Kosovën e pushtuar nga Milosheviçi, por nuk mund të pranohen në Shqipërinë anëtarë të NATO-s. Dhe fajtori për këtë turp është vetëm një: Sali Berisha dhe oborri i klientëve të tij, që tanimë në emër të pasurimit nuk ndalen më përpara asgjëje”, tha sot Hysi.

Deputetja e PS-së akuzoi dhe ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha duke e lidhur ngjarjen dhe me fushatën elektorale në Tiranë, në të cilën ai pritet të jetë kandidat.

“Ku ishte policia e Lulzim Bashës për 4 ditë rresht kur ky komunitet po sulmohej në mënyrën më banditeske? A është kjo siguria që flet për Tiranën Lulzim Basha kur krekoset si kandidat i pushtetit të Sali Berishës për kryeqytetin? Në ç’ vend të botës policia mund të rrijë duarkryq në një kohë kur plot 45 familje sulmohen me armë, e përsëris me armë, për t’u detyruar të shpërngulen nga banesat e tyre, vetëm për t’u justifikuar më pas, se banorët e terrorizuar nuk paskërkan bërë kallëzim penal?”, tha sot Hysi.

Përfaqësuesja e PS-së u ndal në cenimin e të drejtave të njeriut dhe diskriminimin e këtij komuniteti. Sipas saj, ajo që ka ndodhur me 45 familjet rome, që janë detyruar me forcë e dhunë të shpërngulen nga banesat e tyre, është e turpshme dhe e papranueshme për një vend mes të Europës të shekullit 21.

Hysi shtoi se Shqipëria ka firmosur konventat e marrëveshjet ndërkombëtare që parashikojnë mbrojtjen e minoriteteve nga çdo formë dhune e diskriminimi.

“Edhe më i turpshëm akoma është reagimi i pushtetit të Sali Berishës, i ministrit të brendshëm dhe i Policisë së Shtetit, nën varësinë e Lulzim Bashës, ndaj kësaj ngjarjeje, ku një grup banditësh për 4 ditë rresht terrorizuan me armë e kërcënime, e më pas dogjën banesat e këtij komunitetit rom, jo në ndonjë zonë të thellë e të izoluar, por brenda qytetit të Tiranës”, tha Hysi.

Sipas saj është faji i kësaj qeverie që ngjarje të tilla mund të ndodhin në mes të kryeqytetit. Ndërsa ka theksuar se deklarimi i policisë është i papranueshëm. “Është e papranueshme deklarata e Drejtorit të Policisë së Tiranës sipas të cilit kjo ngjarje ka ardhur si pasojë e prishjes të rendit dhe qetësisë publike nga një dasmë që po zhvillohej në atë komunitet dhe se banorët romë qenkan larguar prej banesave me dëshirën e tyre.

E si mund t’i duket normale këtij drejtori të vënë aty nga Lulzim Basha, që 45 familje të dëbohen nga banesat e tyre nga banditë me armë e që këto banesa më pas të digjen e shkatërrohen për shkak të muzikës së një dasme?”, tha sot Hysi.

a.k/NOA

KOMENTE