English

PS: Luli ëndërron të bëhet qytetari i parë i Tiranës

Tiranë, 12 mars 2011, NOA – Ndërsa ministri i Brendshëm Lulzim Basha pohoi se pas heqjes së vizave rrugëtimi integrues i Shqipërisë është i pandalshëm, duke e përkufizuar klasën e sotme politike si brezin europian të shqiptarëve, është kundërpërgjigjur selia rozë, e cila bëri me dije se Lulzim Basha këto kohë po e sheh veten në ëndrra, si qytetari i parë i Tiranës. “Por Luli jo vetëm s’jep llogari, po ëndërron të bëhet edhe qytetari i parë i Tiranës pasi ka përgjakur bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”, duke vrarë e plagosur demonstrues të pafajshëm”, deklaroi në një konferencë për shtyp anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa.

“Luli që sot duhet t’u tregonte shqiptarëve lidhjen e tij me bandën e naftës, doli për t’u thënë të rinjve që jemi njësoj, si ai që ka ndyrë duart me gjakun e 21 janarit e me naftën e kontrabandës, si ata që meritojnë shumë më tepër se Saliun e Lulin mbi kurriz”, tha Ajtyresa.

Ajo akuzoi rishtas kryeministrin Sali Berisha si fajtorin kryesor të tradhëtisë së shqiptarëve në 21 janar.

“Fajin e ka Saliu, se Luli përsheshin e Saliut ha, por tashmë shqiptarët janë gati ta tregojnë me votë se e vetmja rrugë për të dalë nga qorrsokaku i padrejtësisë, varfërisë, papunësisë, është rruga e Partisë Socialiste. Që kurrë më Saliu, Iliri, Luli të mos përsëriten në historinë e këtij vendi të tradhtuar nga politikanët pa atdhe”, nënvizoi Ajtyresa.

mit/NOA

KOMENTE