English

Rama: Berisha po privatizon paratë e shqiptarëve

Berat, 12 mars, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi dje nga qyteti i Beratit se kryeministri Sali Berisha po privatizon pasuritë e shqiptarëve. Në kuadër të turit “Fajin e ka Saliu”, Rama u shpreh se regjimi aktual kërkon t’i kthejë këto pasuri në pjesë të oborrit të tij.

“Përpara sesa të hynim këto po flisnim me Erjonin e shokët e tjerë për atë që po ndodh me pasuritë e fundit të mbetura ende në duart e këtij populli, të cilat kusarët duan me çdo kusht t’i shtien në dorë duke i grabitur, ditën për diell, pasi kanë lajmëruar se do t’i privatizojnë brenda këtyre dy muajve. Janë pasuri me të cilat pa as më të voglin dyshim mund të ushqeheshin qindra mijëra familje”, tha ai.

Rama shtoi se me këto pasuri mund të kishin një jetë më të sigurt qindra e mijëra shqiptarë që sot jetojnë ankthin e pasigurinë e papunësisë e të rritjes së çmimeve. “Mund të kishin një perspektivë të hapur qindra mijëra fëmijë, që sot e gjithë ditën, nuk arrijnë dot të kenë librat e tyre të shkollës. Por nuk ndodh kështu, ndodh e kundërta, të gjitha këto pasuri regjimi vrastar i kusarisë kërkon ti kthejë në pasuri të vetat dhe fajin e ka Saliu”, tha Rama në takimin me elektoratin e Beratit.

Kreu i PS-së tha se e vetmja shpresë për vendin është Partia Socialiste. Ai u shpreh se vetëm opozita mund t’u jap shqiptarëve mundësinë për të pasur një jetë më të mirë.

“Sot nuk ka punë, sot nuk ka shpresë, sot nuk ka siguri, sepse sot në Shqipëri nuk ka konkurrencë, fajin e ka Saliu. E pikërisht sepse ne duam ti japim Shqipërisë të gjitha rrugët e konkurrencës dhe shqiptarëve mundësinë që me talentet e dhuntitë e tyre të jashtëzakonshme të përfitojnë nga këto rrugë, e vetmja rrugë është Partia Socialiste dhe në rrugën e PS çdo shqiptarë do të gjejë mundësinë që meriton për të jetuar më mirë dhe për të rritur fëmijët e tij më i sigurt”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE