English

Shkon në 13 numri i të arrestuarve për naftën “Virgin”, një tjetër në kërkim

Tiranë, 12 mars 2011, NOA- Dy persona të tjerë janë arrestuar ditën e sotme lidhur me aferat korruptive të naftës “Virgin” duke çuar në 13 numrin e të ndaluarve për këtë çështje.

Gazmend Serjani dhe Fadil Abdurrahmani konfirmohen nga burime zyrtare të prokurorisë si dy të ndaluarit e tjerë, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.

Ky operacion u nis pasditen e djeshme ku ranë në pranga plot 11 persona dhe në radhët e tyre përfshiheshin biznesmenë, tatimorë e doganierë. Prokuroria e Përgjithshme publikoi ditën e djeshme emrat dhe akuzat për personat e implikuar në aferat korruptive të naftës “Virgin”.

Organi i akuzës e nisi deklaratën e tij me përmendjen e fakteve nëpër televizione si dhe me deklarimet e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.

Në komunikatën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, thuhej se ndaj 13 të ndaluarve do të ndiqen për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil sh.a”, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku sh.a”, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku.

Sipas saj, sasia e nënproduktit të naftës te quajtur “Virgin” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “Armo sh.a” dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit.

Sipas Prokurorisë ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar.

11 të ndaluarit e tjerë janë: Hajri Hajredin Elezaj ; Ilias Isa Fisheku ; Martin Ilias Fisheku ; Bajram Isa Fisheku ; Dashamir Veiz Kasaj; Edmond Kaso Ferraj ; Flamur Rexhep Merkaj ; Vladimir Kilo Koteci ; Gani Llazar Prence ; Reshat Hamza Aleksi ; Kadri Rakip Hajredini.

a.y/NOA

KOMENTE