Tiranë, 12 Mars 2011 NOA/DW – Ani Ruci - Sipas sondazhit të publikuar së fundi nga kompania e mirënjohur GALLUP dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri, 49% e shqiptarëve japin ryshfet në shërbimet publike. Pse ndodh kështu, si mund të dilet nga praktika e ryshfetit
Në biseda të përditshme të qytetarëve janë të zakonshme pyetjet dhe përgjigjet lidhur me ryshfetin, që ata dhanë në spital, gjykatë, universitet apo tek zyrat e tatimeve. Sondazhi në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse shpreh me gjuhën e saktë të shifrave praktikën e ryshfetit, të kthyer për fat të keq në një tipar të shoqërisë së sotme në Shqipëri.
Gledis Gjipali, drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, partnere e GALLUP-it, në sondazhin rajonal për përhapjen e dukurisë së ryshfetit thotë për programin shqip të DW-së se nga 49% e qytetarëve të intervistuar në Shqipëri thanë se japin ryshfet për të marrë shërbime në sektorin publik.
Kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit: “ Sipas sondazhit niveli i dhënies së ryshfetit në B-H është 18%, në Maqedoni 13%, në Mali të Zi dhe në Serbia 12%, në Kroaci 10% dhe në Kosovë 9%.” thotë Gledis Gjipali.
Mjekësia dhe drejtësia - sektorët, ku dominon më shumë ryshfeti.
Në sondazhin e GALLUP-it disa sektorë rezultojnë të jenë më tipikët për dhënien e ryshfetit në këmbim të marrjes së shërbimit.
“Në vend të parë për marrje të ryshfetit janë shërbimet mjekësore, 645 e të intervistuarve kanë thënë që kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim mjekësor, në vend të dytë vjen gjyqësori, më pas sistemi i taksave, policia, sektori publik i marrjes së licencave dhe në fund vjen hipoteka, doganat dhe sistemi arsimor” thotë Z. Gjipali.
Ryshfeti- pasojë e mungesës së një legjislacioni të plotë
Një kombinim rrethanash sociale, ekonomike, kulturore dhe psikologjike e kanë bërë në Shqipëri dhënien e ryshfetit në këmbim të shërbimeve nga sektori publik një dukuri zotëruese, që për fat të keq po fiton terren aq sa të duket si normale dhe e pashmangshme. Sociologu Kosta Bajraba, me titull Profesor, rreshton një sërë arsyesh pse praktika e dhënies dhe marrjes së ryshfetit vazhdon të fitojë terren.
Në krye të tyre qëndron kalimi nga një shoqëri e mbyllur dhe ekonomi e centralizuar në një shoqëri të hapur dhe ekonomi të tregut të lirë. “Ritmi shumë i shpejtë i kalimit nga gjithçka publike në regjimin e kaluar në private ka sjellë që punonjësit në sektorin publik, pra shtetëror të sillen me pasurinë dhe të mirat publike, sikur të jenë private. Dua të them që të sjellurit në mënyrë private me publiken ka arsye ekonomike, shoqërore, kulturore, politike, madje edhe psikologjike” thotë Z.Bajraba.
Kombinimi i varfërisë, papunësisë me ndryshimet kulturore, psikologjike të një një shoqërie ende në tranzicion duken të kenë shkaqet e kthimit të ryshfetit në një praktikë pothuajse legjitime. Por ka një element tjetër, që është shkaku kryesor i kësaj situate. “Ajo, që i jep ryshfetit përmasa dramatike në Shqipëri, është mungesa e një legjislacioni të plotë, që do t'i pengonte nëpunësit publikë të silleshin me pasurinë dhe të mirat publike në mënyrë private.” thotë Kosta Bajraba.
Kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri
Ndërkohë edhe ato ligje, që ekzistojnë në Shqipëri herë zbatohen dhe herë jo. Kjo ka sjellë fenomenin e krijimit të një kulture pandëshkueshmërie. “Kultura e pandëshkueshmërisë është bërë në Shqipëri diçka e hasur dendur. Askush nuk mban përgjegjësi, nëse nuk zbaton dhe shkel ligjin. Nëpunësit në sektorët publikë duhet të edukohen dhe të detyrohen që të zbatojnë ligjin", thotë Z, Bajraba.
Mëkati i qytetarëve në lulëzimin e kulturës së ryshfetit në Shqipëri
Por edhe qytetarët kanë rolin e tyre në lulëzimin e praktikës së ryshfetit në Shqipëri. Çdo qytetar, që jep ryshfet për të marrë shërbimet, që i nevojiten nga sektorët publikë, vepron si individ pa e konsideruar veten pjesëtar aktiv të një komunitetrit, që duhet të denoncojë dhe godasë këtë praktikë. Për të dyja palët: ata, që marrin dhe ata, që japin ryshfet, ka një fillim për t'u thënë: "ndal" "Ky është zbatimi me dorë të hekurt, zbatimi i pamëshirshëm i ligjit” përfundon Kosta Bajraba.