English

Ambientalistët në protestë: Berisha duhet zmbrapsur nga masakra

Tiranë, 13 mars 2011, NOA – Ambientalistët dhe disa deputetë të Partisë Socialiste kanë protestuar sot kundër shkatërrimit të një pjese të kopshtit botanik për ndërtimin e unazës së madhe. Nismëtarëve të protestës iu bashkuan edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët ngritën zërin kundër shkatërrimit të një vlere të mjedisit dhe studimit mjedisor në Shqipëri. Gjatë protestës ambientalisti Lavdosh Feruni i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga kjo masakër, pasi aty jetojnë plot specie të rralla.

Profesori i gjenetikës theksoi se “në këtë kopsht, këtu është ekzaktësisht në miniaturë Shqipëria jonë. Kjo është pasuria jonë, biodiversiteti i pakrahasueshëm që ka, dhe kjo duhet mbrojtur me çdo kusht. Kopsht botanik ka një si në çdo kryeqytete të Europës, prandaj hiqni dorë nga kjo masakër dhe lërini specialistët, biologët e Shqipërisë, të punojnë këtu dhe të nxjerrin në pah vlerat e mëdha që ka ky vend”, apeloi Feruni.

Deputeti socialist Besnik Baraj risolli në vëmendje se kjo masakër e qeverisë Berisha vjen pas shkatërrimit të Akademisë së Shkencave e mosmarrjes së masave për mbrojtjen e Muzeut të Shkencave të Natyrës.

“Tani ka drejtuar sytë tek kjo vlerë e pazakontë e Shqipërisë unikale, e cila ka vlerë jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por njëkohësisht edhe nga pikëpamja shkencore. Për këtë ai do ishte mirë t’i adresohej pikërisht atyre personaliteteve që për dekada e kanë ndërtuar këtë pasuri dhe që është një krim intelektual, por edhe një krim mjedisor që duhet ndaluar me çdo kusht”, tha Baraj.

Deputeti socialist i bëri rishtas thirrje kryeministrit ta ndalojë këtë masakër, sepse projekti i mëparshëm nuk e parashikonte këtë gjymtim të Kopshtit Botanik.

Po kështu gjatë protestës u prononcua edhe deputeti Eduard Shalsi.

Ai nënvizoi se banda e kusarëve me në krye kryeministrin Berisha nuk ndalet para asgjëje.

Këtu Shalsi risolli në vëmendje nxjerrjen në shitje të 1280 objekteve shtetërore në këto muaj para fushatës zgjedhore të 8 majit.

“Kemi parë sesi kanë tentuar prej kohësh të rrëmbejnë çfarë tu dali para lumenj, troje në bregdet, troje të destinuara për shkollë. Aty ku nuk mund t’i merrnin, i falnin, siç bënë me marrëveshjen e ujërave territoriale. Kemi parë të nxjerrin në shitje 1280 objekte, të cilat e dimë fare mirë se kush do t’i privatizojë. Ndërkohë që sot i janë sulur si të babëzitur edhe Kopshtit Botanik”, tha deputeti Shalsi.

Ai e konsideroi këtë masakër si një agresivitet tipik berishian dhe hipokrizi.

“Imagjinoni që duan të kafshojnë dhe Kopshtin Botanik, një vlerë, një pasuri e krijuar në vite nga breza të tërë punonjësish, profesorësh të nderuar dhe studentësh të fakultetit të shkencave të natyrës. E për të gjithë këtë babëzi, fajin e ka Sali Berisha. Të paskrupullt, të pangopur, këta njerëz duhen ndalur. Ndaj ne bashkërisht duhet t’i zmbrapsim, ne duhet t’i ndalim me çdo mënyrë këta njerëz që nuk njohin gjë tjetër përveçse etjes për pushtet dhe për para”, deklaroi deputeti socialist.

mit/NOA

KOMENTE