Shkup, 13 mars, NOA - Lëvizja “VETËVENDOSJE!” së shpejti pritet të zyrtarizohet edhe në Maqedoni, një iniciativë që vjen nga Këshilli i Organizatave Shqiptare.
Përfaqësues të KOSH deklaruan se së shpejti themelohet lëvizja, por nuk jepen detaje se a do të jetë ajo degë e lëvizjes që drejtohet nga Albin Kurti, apo ndonjë organizëm i veçantë në Maqedoni.
“Degradimi i faktorit politik shqiptar deri në nihilizëm, po i detyron forcat e shëndosha shqiptare të organizohen dhe të veprojnë në mënyrë jashtë institucionale, në një lëvizje, që do të quhet Lëvizja ‘VETËVENDOSJE!’, theksojnë përfaqësues nga KOSH, e cila përbëhet nga rreth 40 organizata joqeveritare dhe qytetare shqiptare në Maqedoni.
Këto organizata përjashtojnë bashkëveprimin apo të jenë pjesë e ndonjë skenari të lidhur me partitë aktuale politike. Sipas tyre, në asnjë rast iniciativa nuk ka prapavijë të caktuar politike të ndërlidhur me ndonjë subjekt politik, por modeli i funksionimit do të jetë një lëvizje simotër, por deri tani të pakonfirmuar si pjesë e bërthamës së Lëvizjes “VETËVENDOSJE!” në Kosovë.
NOA/INA