E diel, 13 mars 2011, NOA- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael, me ftesë të hologut të tij, Zëvendëskryeministrit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman.
Mësohet se gjatë takimit midis dy homologëve u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin shumëpalësh, në kuadër të organizatave rajonale, si dhe mbi zhvillimet në rajonin tonë.
Gjatë këtij takimi Lieberman nënvizoi marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe vlerësoi atë që shqiptarët kanë bërë për popullin e Izraelit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas tij ky është një fakt që ndihmon në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Midis dy homologëve u diskutua mbi organizimin e disa aktiviteteve të përbashkëta për të sjellë më afër komunitetet e biznesit të dy vendeve, si dhe për të eksploruar mundësitë konkrete për investimet izraelite në Shqipëri.
Nga ana e tij Haxhinasto, e ftoi Lieberman, për një vizitë në Shqipëri, i cili konfirmoi se gjatë vizitës e cila do të zhvillohet së shpejti, do të shoqërohet nga një grup biznesmenësh nga Izraeli.
Gjatë takimit, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto foli edhe mbi zhvillimet në rajon, duke theksuar se pavarësia e Kosovës ka rritur stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe se integrimi i gjithë vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike është rruga më e mirë drejt prosperitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit.
Haxhinasto i kërkoi homologut Lieberman mbështetjen e Izraelit për anëtarësimin e Kosovës në BERZH, si dhe vlerësoi rikonsiderimin e qëndrimit mbi Kosovën në respekt të vendimit të dhënë nga GJND, rezolutës së AP-së së OKB-së dhe njohjeve të reja të bëra së fundmi.
Në përgjigje Lieberman u shpreh se Izraeli mbëshetet anëtarësimin e Kosovës në BERZh.
Në kuadër të vizitës në Jeruzalem, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto bëri një vizitë në Muzeun e Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në Yad Vashem, ku vendosi edhe një kurorë në përkujtim dhe nderim të tyre.
Gjatë qëndrimit në Izrael Haxhinasto do të zhvillojë një sërë takimesh edhe me përfaqësues të tjerë të politikës në vend.
a.y/NOA