English

Kan: Nuk do të ketë një tjetër Çernobil

Tokio, 13 mars 2011, NOA – Ndërkohë që frika për shpërthime bërthamore të fuqishme në Japoni është në zgrip për çdo të mbijetuar pas tërmetit apokaliptik me magnitudë 9 ballë të shkallës Rihter dhe cunamit me dallgë 10 metra të larta, kryeministri japonez Naoto Kan qetësoi popullin dhe mbarë vendet e rrezikuara duke deklaruar se nuk do të ketë një tjetër Çernobil.

“Kurrë nuk ka patur një rrezik kaq të madh që pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Kan.

Qeveria japoneze foli për rreziqe potenciale që mund të ndeshen gjatë procesit të ftohjes në reaktorët bërthamorë 1 dhe 3 në centralin e Fukushimas që ndodhet në bregdetin verilindor të Japonisë, më i godituri nga tërmeti i të premtes që shkaktoi edhe cunamin.

Tashmë rrezikon të shpërthejë reaktori nr. 3 në centralin e Fukushimas, që ka pësuar edhe dëmtime të rënda.

Sipas ministrit të Ekonomisë së Japonisë tentativat për të evituar shpërthimin nuk kanë dhënë rezultat.

Alarmin e jep agjencia japoneze për sigurinë bërthamore, e cila bëri të ditur se po del tym edhe nga një tjetër central bërthamor në prefekturën e qytetit Miyagi.

Sipas agjencisë japoneze (AIEA) ka emergjencë edhe në centralin bërthamor të Onagawa, i goditur edhe ai nga tërmeti shkatërrues i të premtes.

Autoritetet japoneze thonë se tre reaktorët e sitit bërthamor të Onagawa janë nën kontroll, por alarmi ëshë shpallur për faktin se nivelet e rrezatimit të regjistruara rrotull centralit janë më të larta se ato të autorizuara në zonën pranë.

Ndërkohë sipas burimeve zyrtare bilanci i viktimave të tërmetit vazhdon të rritet frikshëm, kur deri më tani numërohen 1.600 persona.

Porse autoritetet flasin edhe për mbi 10 mijë viktima të tjera vetëm në qytetin Miyagi. Kryeministri japonez duke folur për impaktin e kësaj katastrofe humanitare, një nga pesë më të mëdhatë që kanë ndodhur në historinë e botës, deklaroi se impakti i tërmetit në ekonominë japoneze do të jetë i konsiderueshëm.

Ndërkohë agjencia japoneze e meteorologjisë (Jma) parashikon edhe të tjera lëkundje sizmike, duke u bazuar në të dhënat historike.

Sipas kësaj agjencie një tjetër tërmet me magnitudë 7 ballë do të bjerë në rajonin e Sendait dhe Tokios me epiqendër rreth 100 km në veri të kryeqytetit japonez, Tokios. “Mundësitë që ky tërmet të regjistrohet në tri ditët e ardhshme janë rreth 70 përqind”, bëjnë me dije specialistët e parashikimit të motit në Japoni.

Ndërsa ata parashikojnë se ka 50 përqind mundësi që tërmeti të regjistrohet në ditët pasardhëse.

mit/NOA

KOMENTE