English

Lufta ndaj terrorizmit global

Pavarësisht sukseseve që kanë arritur në luftën kundër terrorizmit global, as SHBA-të dhe as vendet e BE-së nuk kanë ende një strategji, e cila do të mundësonte shkatërrimin e plotë dhe përfundimtar të këtij rrjeti organizatash terroriste

Nga Fatos Tarifa

Në shtator të këtij viti bëhen dhjetë vjet nga sulmet terroriste të Al-Kaedës në Nju-Jork dhe në Uashington. Këto ngjarje, me të cilat, në një kuptim real të fjalës, nisi shekulli i 21-të, tronditën jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por mbarë botën. Qysh nga ajo kohë, Amerika, e cila asnjëherë nuk e ka pranuar rolin e viktimës, ka nisur një luftë të vendosur kundër një rrjeti të gjerë grupesh terroriste militantësh islamikë të drejtuar nga Al Kaeda. Siç është shprehur, në maj të vitit 2010, John Brennan, ndihmës i presidentit Barack Obama për çështjet e sigurimit të vendit dhe të kundërterrorizmit, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë. Ne jemi në luftë me Al Kaedën dhe me terroristët që kanë lidhje me të”. Ky rrjet terroristësh përbën një armik sui generis për Shtetet e Bashkuara dhe për demokracitë liberale të Perëndimit, për shkak se pjesëmarrësit në të nuk i ngjajnë një shteti apo një ushtrie të rregullt armiqësore; ata nuk mbajnë uniformë ushtarake dhe nuk i përkasin një shteti të caktuar. Ky rrjet vepron në shumë vende dhe territore të globit, shumë herë fshehurazi, por ndonjëherë edhe me mbështetjen apo pëlqimin e qeverive të huaja. Qëllimet e tij janë të kryejë akte terroriste ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe territorin e këtij vendi, si edhe të avancojë agjendën e militantëve islamikë në rajone të ndryshme të globit. Për shkak të natyrës sui generis të një armiku të tillë, jo vetëm ekspertët e studimeve mbi terrorizmit, por edhe vetë administrata amerikane nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë të lehtë të përdorin mjetet dhe mënyrat më efikase të luftës kundër tij. Pavarësisht sukseseve që kanë arritur në luftën kundër terrorizmit global, as SHBA-të dhe as vendet e BE-së nuk kanë ende një strategji, e cila do të mundësonte shkatërrimin e plotë dhe përfundimtar të këtij rrjeti organizatash terroriste.

Cili është armiku terrorist dhe ku ndodhet ai? Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (National Security Strategy) të Shteteve të Bashkuara, hartuar në vitin 2010, ky armik identifikohet si “Al Kaeda dhe ata që kanë lidhje me të”. Ky rrjet konsiston në një grup individësh, përfshirë Osama bin Laden, Ayman al Zawahiri dhe një grup njerëzish që u shërbejnë atyre, që ndodhen kryesisht në Pakistan, të cilët drejtojnë veprimtarinë terroriste. Grupi qendror i Al Kaedës, i njohur ndryshe si Al Kaeda Qendrore (al Qaeda Central), ka njohur zyrtarisht me emrin e saj tri rrjete të gjera terroriste, të cilat operojnë kryesisht në rajonet e Lindjes së Mesme dhe të Magrebit. Ato janë: (1) Al Kaeda në Gadishullin Arabik, me qendër në Jemen, (2) Al Kaeda në Magrebin Islamik, me qendër në Afrikën Perëndimore dhe (3) Al Kaeda në Irak, e njohur si Shteti Islamik i Irakut (Islamic State of Iraq).

Grupe të tjera terroristësh, edhe pse bashkëveprojnë në një rrjet të gjerë global dhe janë tepër aktivë brenda tij, nuk mbajnë zyrtarisht emrin e Al Kaedës. Pavarësisht kësaj, si kreu i talebanëve afganë, Mullah Omar, i cili nga viti 1996 deri më 2001 drejtoi Emiratin Islamik të Afganistanit dhe të cilit Bin Laden i ofroi besnikërinë e tij, ashtu edhe Doku Umarov, i cili është vënë në krye të Emiratit Islamik të Kaukazit, me bazë në Rusi, janë quajtur në komunikata të ndryshme të Al Kaedës “emir al mumineen”, ose “komandant i besimtarëve të devotshëm”. Edhe pse asnjëri prej grupeve që drejtojnë Mullah Omar dhe Doku Umarov nuk është formalisht i lidhur me Al-Kaedën, titulli që u është dhënë atyre nga Al Kaeda Qendrore u jep një rol të dukshëm në rrjetin e grupimeve terroriste, për shkak të rëndësisë që Al Kaeda u kushton rajoneve gjeografike ku ata veprojnë, të cilat ajo përpiqet t’i destabilizojë për të arritur synimet e saj.

Ky rrjet i gjerë grupimesh terroriste përfshin edhe dy organizata të tjera të rrezikshme, “al Shabaab” në Somali dhe “Lashkar-e-Taiba” në Pakistan. Këto dy grupe mbajnë lidhje dhe koordinojnë veprimtarinë e tyre me Al Kaedën, por nuk mbajnë dhe nuk përdorin emrin e saj. Ato kanë kapacitete të ngjashme me ato të grupeve të sipërpërmendura dhe me veprimtarinë e tyre kërkojnë të tërheqin më shumë vëmendjen e Al Kaedës Qendrore, për të pasur të drejtën të përdorin emrin e saj, pra edhe të gjenerojnë më shumë të ardhura për të rekrutuar anëtarë të rinj nga e gjithë bota islamike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Europë, përmes shërbimeve të tyre të inteligjencës, kanë dhe shkëmbejnë një informacion të gjerë dhe të hollësishëm mbi vendndodhjen dhe veprimtarinë e organizatave terroriste që përbëjnë këtë rrjet me shtrirje në shumë rajone të botës. Edhe pse pas 11 shtatorit 2001 SHBA ka mundur të evitojë një sulm tjetër terrorist në territorin e saj, përpjekjet e terroristëve për të dëmtuar interesat amerikane dhe për të goditur objektiva të caktuar nuk kanë munguar. Vetëm gjatë dy vjetëve të fundit, rrjeti terrorist i Al Kaedës ka tentuar tri herë të sulmojë dhe të dëmtojë interesat e Shteteve të Bashkuara. Përpjekja e parë, e njohur si “the Christmas Day attack”, u bë ditën e Krishtlindjeve 2009, kur një i ri nigerian, student në Kolegjin e Universitetit të Londrës dhe i lidhur me Al Kaedën, tentoi të hidhte në erë avionin e kompanisë amerikane Northwest Airline që udhëtonte nga Amsterdami në Detroit. Përpjekja e dytë, e njohur si “the Time Square attack”, u bë në pranverë 2010, nga një i ri pakistanez, me shtetësi amerikane, i cili, i stërvitur në kampet terroriste në Pakistan, synoi shpërthimin e një automjeti-bombë në njërin prej shesheve kryesore dhe më të populluara të Nju-Jorkut. Përpjekja e tretë u bë në tetor 2010, kur dy bomba, të ndërtuara nga eksplozivë plastikë dhe të ambalazhuara si pako, u vendosën në dy avionë kargo me destinacion nga Jemeni në SHBA, por u zbuluan në aeroportet e Londrës dhe të Dubait. Në të gjitha këto raste, Al Kaeda, rrjeti terrorist i të cilës shtrihet të paktën në dy kontinente, ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve të planifikuara. Këtu nuk përmendim disa qindra sulme terroriste të kryera (apo të dështuara) në vende të tilla si Anglia, Spanja, Rusia, Izraeli, Turqia, Egjipti, Iraku, Afganistani, Pakistani, Indonezia, India etj, shumë prej të cilave janë organizuar dhe kryer ose nga Al Kaeda, ose nga grupe terroriste të lidhura me të.

A përbën një aktivitet i tillë terrorist, i organizuar dhe i koordinuar nga rrjeti i Al Kaedës, një kërcënim fatal për Shtetet e Bashkuara dhe për demokracitë liberale? Unë mendoj se jo. Por lufta kundër terrorizmit në shkallë globale përbën një sfidë reale për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët e saj si edhe për të gjitha forcat progresiste dhe paqedashëse në botë. Në krye të kësaj lufte vazhdojnë të qëndrojnë Shtetet e Bashkuara. Ky vend është i përgatitur më mirë se çdo vend të tjetër, si edhe ka resurset për ta përballuar dhe vendosmërinë për ta çuar deri në fund luftën kundër terrorizmit. Sidoqoftë, fitorja përfundimtare në këtë luftë nuk është e lehtë. Deri më sot, Shtetet e Bashkuara e kanë luftuar terrorizmin në frontin e brendshëm, duke rritur shkallën e sigurisë për shtetasit dhe për interesat amerikane, si edhe në frontin e jashtëm, kryesisht përmes fushatave dhe operacioneve të drejtpërdrejta kundërterroriste në Irak dhe në Afganistan, duke targetuar drejtuesit, financuesit, ndihmësit dhe operuesit kryesorë të Al Kaedës dhe të rrjetit të saj terrorist.

Përpjekjet e Uashingtonit dhe të aleatëve të tij kanë konsistuar dhe konsistojnë kryesisht në tre drejtime: Së pari, në përdorimin e forcës ushtarake (hard power), duke sulmuar bazat terroriste në Pakistan, si edhe përmes operacioneve të drejtpërdrejta në Jemen dhe në Afrikë. Së dyti, në përdorimin e taktikave “soft power”, përfshirë diplomacinë publike dhe ndihmën ekonomike, si fjalimi i presidentit Barack Obama në Kajro, në qershor 2009, apo paketa për ndihmë ekonomike Pakistanit, e propozuar nga senatorët Kerry, Lugar dhe Berman dhe e miratuar nga Senati Amerikan më 2009, e cila i jep Pakistanit 7.5 miliardë USD për një periudhë 5-vjeçare. Së treti, në zgjerimin e bashkëpunimit të shkëmbimit të informacionit me aleatët e saj europianë, në ndalimin e qarkullimit të mjeteve financiare të rrjetit të Al Kaedës, si edhe rritjen e masave të sigurisë brenda vendit. John Brennan i përshkruan me këto fjalë iniciativat politike të Shtëpisë së Bardhë: “Në Afganistan, në Pakistan, në Jemen, në Somali dhe më gjerë, ne jo vetëm po u japim goditje të rënda lidershipit të Al Kaedës dhe [grupeve terroriste] të lidhura me të, por edhe i ndihmojmë qeveritë [e këtyre vendeve] të krijojnë kapacitetet e duhura për forcimin e sigurisë në vendet e tyre, i ndihmojmë [ato] për ta çrrënjosur kancerin Al Kaeda që është përhapur në territoret e tyre dhe për ta parandaluar kthimin [e kësaj të keqeje]”. (…)

KOMENTE