English

Olldashi: Po mbrojmë Kopshtin Botanik, na pengojnë pallatet e Ramës

Tiranë, 13 mars, NOA – Ministri i Transporteve sqaroi sot para medieve planin për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe vazhdimin e punimeve në pikën më të debatueshme, atë të Kopshtit Botanik.

Në një konferencë për mediat, Olldashi paraqiti hartat e projektit duke theksuar se projekti i Ministrisë së Transporteve e mbron Kopshtin Botanik aq sa e mbronte dhe projekti i Bashkisë së Tiranës.

“Gjurma e projektit tonë dhe e projektit të bashkisë është identike. Gënjeshtra e parë është që ka ndryshim projekti. Gjurma është e njëjtë. Projekti është i detyruar të prek Kopshtin Botanik. Kjo është miratuar që në vitin 1989, në planin e Adil Çarçanit. Gjurma e asaj kohe shkonte më thellë në kopshtin botanik. Ajo që ne kemi modifikuar është për ta mbrojtur, jo për të dëmtuar, sipas planit të parëm, Unaza kalonte mes për mes”, tha Olldashi.

Ai u shpreh se devijimi nga projekti i bërë në vitin 1989 ka ardhur për shkak të ndërtimeve të pallateve, të cilat sipas tij janë dhënë nga qeveria e PS-së.

“Devijimi ka ardhur sepse ky territor është dëmtuar. Të gjitha lejet janë dhënë nga Këshilli i qarkut të vitit 2001-2003, dhe janë të gjitha leje pallatesh që prekin qendrën e Tiranës”, tha Olldashi.

Ai u shpreh se kanë nisur punimit dhe është kërkuar dhe bashkëpunimi i Bashkisë së Tiranës.

a.k/NOA

KOMENTE