English

Skema kriminale e mafias

Tirana po mbytet nga ndotja e nafta e ndalur për shitje dhe skema kriminale e mafias së naftës ku kryeministri është pjesë po shkurton jetët e çdo tiranasi apo shqiptari

Erjon Braçe

Kur çdo ditë, mijëra shqiptarë po bien në varfëri, duke nisur nga Tirana, “Kapja e Shtetit” është instrumenti politik që po pasuron “qeveritarët” dhe “familjarët”. Pasuritë kombëtare si burime të ekonomisë kombëtare, nuk janë më të shqiptarëve por të “qeveritarëve” dhe “familjarëve”. Shqiptarët e zakonshëm nuk kanë mundësi ti përdorin pasuritë e tyre për të mbijetuar; “qeveritarët” dhe “familjarët” e jashtëzakonshëm e fuqiplotë, po i përdorin ato për t’u pasuruar.

Ky nuk është më korrupsion! Ky është “krim i organizuar” që po shpronëson çdo shqiptar dhe po pronëson çdo “qeveritar” dhe “familjar”. Nafta është pasuri kombëtare dhe e shqiptarëve. Qeveria po i shpronëson shqiptarët nga kjo pasuri e madhe. Nafta nuk është më pasuri e shqiptarëve por e “qeveritarëve” dhe “familjarëve”. Faktet e dala nga hetimi, dje dhe sot, dëshmojnë pikërisht këtë. Heshtja e Sali Berishës, dje dhe sot, dëshmon se Sali Berisha është zoti i plotfuqishëm i çdo pasurie kombëtare në këtë vend! Ai po shpronëson shqiptarët. Ai po pronëson “qeveritarët” dhe “familjarët”. Shqiptarët janë rrogëtarët, “qeveritarët dhe familjarët janë pronarët.

Kjo është arsyeja përse ne kërkojmë përgjigje sot prej tij:

- cila kompani ka sot të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve kombëtare të naftës?

- sa janë përfitimet e tyre vjetore dhe sa janë përfitimet vjetore të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga kjo pasuri?

Në pritje të përgjigjes dua të bëj me dije për çdo shqiptar:

Për hetimin;

1. nuk janë dy biznesmenë, por qeveritarë e familjarë ata që drejtojnë mafian e naftës

2. nuk janë dy kompani, por dhe një e tretë e ngritur politikisht, administruar familjarisht, favorizuar administrativisht me katër vendburime kombëtare të naftës, që ka kryer të njëjtin krim, shitje të naftës bruto, të pa përpunuar, në tregun e brendshëm shqiptar në vitet 2009-2010; nuk ka qenë vetëm ARMO por edhe një tjetër kompani, që ka pjesë në mafian e naftës e që ka shërbyer në këtë operacion kriminal. Sasitë kanë qenë të mëdha dhe përfitimi edhe më i madh.

Ndërkohë sot, kemi ne përgjigje për Kryeministrin Berisha:

1. Kryeministri gënjeu dje në Fier dhe gënjen çdo ditë kur thotë se rrugët po bëhen me paratë e luftës kundër korrupsionit! Ato rrugë po bëhen me borxhe të marra anekënd botës sepse paratë e korrupsionit mungojnë në buxhetin e shtetit dhe shtojnë pasuritë e qeveritarëve dhe familjarëve

2. Kryeministri gënjeu pardje dhe gënjen çdo ditë kur thotë se ekonomia jonë po kalon ylberin, mbështetur në eksporte! Eksportet janë fiktive dhe instrumenti i faktuar si i përdorur nga mafia e naftës për të përfituar dy herë: nga pasuria e shqiptarëve por edhe nga paratë e tyre që Berisha i përdor për ti stimuluar e paguar si eksporte

3. Kryeministër gënjeu mbi pardje dhe çdo ditë kur thotë se po lufton paratë e ardhura nga produkti kriminal. Tenderët, pra kontratat qeveritare po përdoren për të mbuluar paratë e ardhura nga produkti kriminal dhe Ministria e Brendshme është përfshirë në këtë krim

4. Kryeministri gënjeu gjatë gjithë javës kur tha se po lufton pasuritë e paligjshme të politikanëve dhe personave të lidhur me ta. Rasti është flagrant dhe në sy të çdo shqiptari. Llogaritë e kompanisë nën akuzë i mbante Ai, kontratat për të mbuluar paratë e ligjshme i ka nënshkruar Ministri i Brendshëm, rimbursimin e skemës fiktive e ka paguar Ministri i Financave, shtimin e kapitalit të kompanisë në fjalë e ka nënshkruar po Ai dhe Ti je sot, Kryeministri që do amnistosh përmes amnistisë fiskale këto kapitale të krijuara në këtë mënyrë kriminale.

5. Kryeministri gënjeu edhe një javë më parë kur tha se ndotja në Tiranë është punë e opozitës. Tirana po mbytet nga ndotja e nafta e ndalur për shitje dhe skema kriminale e mafia-s së naftës ku kryeministri është pjesë po shkurton jetët e çdo tiranasi apo shqiptari.

KOMENTE