English

Tërmeti zhvendosi Japoninë me 2.5 m, boshti i tokës lëvizi 10 mm

Uashington, 13 mars 2011, NOA - Japonia është zhvendosur pothuaj 2 metër e gjysmë, pas lëkundjeve sizmike të shkallës 9.8 Rihter. Sipas NASA-s zhvendosja e tektonike në Oqeanin Paqësor shpejtoi rrotullimin e tokës, ndërsa zvogëloi ditën me 1.6 të qindat e sekondës.

Është një zvogëlim i ditës që i shtohet atij të ndodhur gjatë tërmetit në Kili vitin e kaluar, ku sërish si pasojë e rritjes së shpejtësisë së rrotullimit të tokës, dita u zvogëlua me 1. 26 të qindat e sekondës.

Akoma më i lartë ishte ndikimi në rritjen e shpejtësisë së rrotullimit të tokës gjatë tërmetit 9.1 ballë në vitin 2004 në Sumatra.

Po ashtu tërmeti i Japonisë ka bërë që boshti i tokës të lëvizë me 10 mm, ndërsa sipas ekspertit të Shërbimit Gjeologjik Amerikan, Pol Erle, Japonia u zhvendos me 2. 5 metra. Erle kishte deklaruar të premten se “tërmeti në Japoni, shkaktoi një çarje të tokës në një thellësi prej 300 kilometrash në Oqeanin Paqësor”.

Sipas tij ky tërmet u shkaktua nga i njëjti fenomen që shkaktoi edhe cunamin vrasës në Sumatra në vitin 2004.

Në dalje të brigjeve të Japonisë, pllaka tektonike e Oqeanit Paqësor zhytet me pothuaj 83 mm në vit poshtë pllakës tektonike të Amerikës Veriore.

Për shkak të fërkimit mes tyre, aty ku takohen pllakat krijohet një çlirim i madh energjie që shkakton edhe lëkundjet sizmike.

mit/NOA

KOMENTE