English

Vret 9-vjeçarin dibran, kapet 70-vjeçari në Durrës

Durrës, 13 mars 2011 NOA – Një plak nga Dibra që ka vrarë një fëmijë vetëm nëntëvjeçar, është kapur pasditen e sotme në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim për krimin e rëndë.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se Nebi Ajazi, 70 vjeç, lindur në Varosh të komunës Lurë në Dibër dhe banues në rrethin e Durrësit, është arrestuar pasi mbi të rëndonte një vrasje e ndodhur në vitin 1999, krim për të cilin ka marrë dënimin me 18 vjet heqje lirie.

Ajazi më 16 shtator 1999 ka qëlluar për vdekje, duke i marrë jetën djalit nëntëvjeçar Fation Buci dhe ka plagosur nënën e tij Donika Buci. Krimi ndodhi në fshatin Varosh të Dibrës, kur Ajazi ishte rreth 58 vjeçar dhe erdhi si pasojë e konfliktit mes dy familjeve, për çështje pronësie.

Në vrasje u përfshi atëherë edhe një i afërm i Nebi Ajazit, i cili ishte arrestuar vetëm pesë vjet pas krimit, në Devoll të rrethit Korçë.

Policia tha për agjencinë e lajmeve NOA se arrestimi i Nebi Ajazit u bë përmes një operacioni të organizuar në plazhin e Durrësit, ku i kërkuari jetonte prej kohësh duke iu fshehur drejtësisë. Të shumëkërkuarit iu gjet edhe një armë zjarri që u sekuestrua për të zbardhur nëse është e njëjtë me atë që vrau fëmijën më shtator 1999 kur Ajazi u fut në banesën e familjes fqinje dhe hapi zjarr duke e lënë të vdekur në vend.

a.b/NOA

KOMENTE