English

Akuza: Manipulim me listat zgjedhore

“Listat zgjedhore nuk janë pastruar, qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI manipulojnë”

Shkup, 14 Mars 2011 NOA/ Zulejha Ramadani - Ministria e Drejtësisë dje doli me informatë se ka pastruar listat zgjedhore edhe për periudhën 1950-1980 dhe se janë konstatuar gjithsej rreth 20.000 votues fiktiv në listat zgjedhore.

Abedin Zymberi nga partia Demokracia e Re tha sot se “dyshimet e Demokracisë së Re, por edhe të partive tjera dhe shoqërisë civile ishin se numri i votuesve fiktiv sillet nga 150.000-200.000, madje dhe vetë VMRO-DPMNE-ja kur ishte në opozitë në vitin 2006 ka ndarë këtë mendim”.

“Tani, - komenton Zymberi, - të njëjtit na thonë se paska vetëm 20.000 votues fiktivë.

Demokracia e Re shpreh dyshime të thella se pastrimi i listave zgjedhore nuk ka ndodhur dhe se Qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI po përgatitet për keqpërdorim dhe manipulim të procesit zgjedhor me numrin e votuesve fiktiv.

“I bëjmë apel Qeverisë të mos merret më manipulime, por të ulet dhe të punojë seriozisht në pastrimit e listave zgjedhore dhe për këtë të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për zbatim transparent të këtij procesi i cili duhet t’i nënshtrohet kontrollit të opozitës dhe organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare që merren me çështjen e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor”, - tha Zymberi.

Ai vlerësoi se pastrimi i listave zgjedhore nga votuesit fiktiv është parakusht për zgjedhje të ndershme dhe demokratike.

Kurse paralajmëroi se çdo tendencë tjetër e Qeverisë VMRO-DPMNE dhe BDI shpien drejt falsifikimit të rezultatit zgjedhor.

z.r/NOA

KOMENTE