English

Ekzekutohet në Shkodër 46-vjeçari Kurmemaj, dyshohet për gjakmarrje

Shkodër, 14 mars 2011, NOA – Gjakmarrja duket të ketë tronditur rishtas qytetin e Shkodrës. Vetëm pak minuta më parë një 46-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në një nga lagjet e qytetit.

Burime nga policia e Shkodrës konfirmuan për agjencinë NOA se është vrarë 46-vjeçari Astrit Kurmemaj.

Policia e Shkodrës hedh dyshime se vrasja mund të ketë ndodhur për motive të gjakmarrjes, pasi viktima Kurmemaj ishte një i dënuar për vrasje, i cili kishte marrë vetëm pak ditë leje nga burgu u Shën Kollit për të takuar familjen e tij.

Kurmemaj ishte shënjestruar nga autorët, të cilët i morën jetën me dy të shtëna arme.

Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë banesës së viktimës.

Sipas policisë viktima Astrit Kurmemaj do të rikthehej në burgun e Shën Kollit në Lezhë pas pesë ditësh leje.

Por, si në çdo vrasje për gjakmarrje duket se gjakësit ishin informuar mirë për lëvizjet e 46-vjeçarit Kurmemaj, duke vënë në vend marrjen e gjakut.

Burime nga policia e Shkodrës nuk bëjnë të ditur emrat e autorëve, për arsye të hetimit.

Blutë e Shkodrës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe janë në kërkim për të vënë në pranga autorët.

mit/NOA

KOMENTE