Fier, 14 mars 2011, NOA - Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në një takim me qindra simpatizantë të PDIU-së, në qytetin e Fierit kërkoi publikisht largimin e konsullit grek të Korçës, Theodhoros Ikonomus, i cili pak javë më parë deklaroi pa kurrfarë ngurimi diplomatik se “Korça është Vorio-Epir, dhe se askush nuk duhet të frikësohet nga shpallja e kombësisë greke”.
“I kërkojmë sot publikisht qeverisë shqiptare të shpallë ‘non grata’ konsullin grek”, tha kryetari i partisë për mbrojtjen e të drejtave të çamëve.
Sipas tij rikthimi i Ikonomus rishtas në zyrën e konsullit grek në Korçë është një akt edhe më i rëndë se sjelljet e tij shoviniste.
“Rikthimi i tij vret dinjitetin e çdo shqiptari”, bëri me dije kreu i PDIU-së.
Kryetari i PDIU-së theksoi se do të përshkallëzojë reagimet në rast se kjo kërkesë e gjithë shqiptarëve nuk realizohet.
Idrizi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen me PDIU-në në emër të një kauze të madhe, siç është çështja kombëtare dhe çështja çame.
“Ne do të jemi partia e integrimit të shqiptarëve, në familjen e madhe evropiane. Duke përmbushur kështu aspiratën e kahershme të rilindasve tanë, të cilët thonin për ne shqiptarët se “Dielli lind andej nga perëndon”, nënvizoi kreu i çamëve.
Ai theksoi se PDIU do të jetë parti e unitetit të kombit shqiptar, kudo që jetojnë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri dhe diasporë.
mit/NOA