Japoni, 14 mars, NOA - Drejtuesit e centralit atomik për prodhimin e rrymës elektrike, që ishte dëmtuar nga tërmeti masiv i së premtes dhe cunami në Japoni, thonë se sistemi i ftohjes i reaktorit të tretë ka dështuar.
Më herët, dy reaktorët e tjerë në centralin atomik në Fukushima, kanë pasur probleme të njëjta, që janë përcjellë me eksplodime. Pas eksplodimit në mëngjesin e sotëm, zyrtarët thanë se 11 vetë ishin plagosur, por kontejneri bërthamë i reaktorit numër 3 nuk ishte dëmtuar.
Sekretari i kabinentit japonez, Yukio Edano, tha sot se është dhënë një urdhër për evakuim.
“Ekspodimi besohet se ishte i llojit të njëjtë me atë në reaktorin numër 1. Ne kemi urdhëruar evakuimin e njerëzve, që jetojnë në rreze prej 20 kilometrash nga centrali dhe ne u kemi thënë njerëzve, që ishin në procesin e evakuimit, që të hyjnë brenda menjëherë”, tha Yukio Edano.
Reaktori numër 1 ishte goditur nga shpërthimi të shtunën. Të dielën, zyrtarët në centralin Fukushima, që është 240 kilometra në verilindje të Tokios, kanë thënë se niveli i rrezatimit ishte rritur mbi nivelin e sigurisë, por kjo nuk ishte “kërcënim i menjëhershëm” për shëndetin njerëzor.
Aeroplanmbajtësja e Shteteve të Bashkuara, që është i vendosur afro 160 kilometra në verilindje të Fukushimës, kishte lëvizur mëtutje, pas zbulimit të rrezatimit të nievlit të ulët.
Mediat japoneze raportojnë se 2 mijë trupa të pajetë janë gjetur sot në brigjet e prefekturës Mijagji, që më së shumti është goditur nga cunami.
Ka shqetësime se nga tërmeti i së premtes në Japoni, kanë humbur jetën afro 10 mijë njerëz.
Kryeministri Naoto Kan, vlerësoi se kjo ishte kriza më e madhe në Japoni, pas Luftës së Dytë Botërore. Banka e Japonisë sot e ka futur një shumë rekorde prej 180 miliardë dollarësh në sistemin bankar, për t’i zbutur problemet lidhur me gjendjen e ekonomisë së tretë më të madhe në botë, pas tërmetit.
NOA/RFE