Tiranë, 14 mars 2011, NOA – Bie në prangat e policisë së kryeqytetit një 21-vjeçar, i cili dyshohet se në bashkëpunim me disa persona kanë vjedhur disa motorra të tipit Piaggio në zona të ndryshme të Tiranës. Pas identifikimit të tij uniformat blu të komisariatit nr. 3 në Tiranë kanë arrestuar 21-vjeçarin Elvis Agim Kurti, banues në Tiranë.
Sipas policisë së Tiranës Elvis Kurti akuzohet për vjedhjet e një motorri tip Rezoto, e kryer në 13.02.2011, në rrugën “Don Bosko”, ndërkohë që i ka vjedhur me dhunë edhe motorrin tip Piaggio një shtetasi tjetër në datën 10 mars.
Aktualisht efektivët e Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë po punojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në këto vjedhje me dhunë.
Policia e Tiranës fton qytetarët e dëmtuar nga këto vjedhje të paraqiten për të depozituar kallzim penal, pranë Komisariatit të Policisë nr. 3 në kryeqytet.
mit/NOA