English

Krimet në Kosovë dhe nevoja e konceptimit shkencor të tyre

U botuan hulumtime dhe rezultate të rëndësishme mbi krimet e bëra në Kosovën e dekadës së fundit të shekullit XX. Në 32 vëllimet e botuara dallohet përmasa e theksueshme përshkruese. Në botimet e këtilla ka mospërputhje sasiore dhe trajtim jo të qëndrueshëm të sistemit të koncepteve dhe të termave të krimeve. Ka modalitete krimesh ende të pazbuluara. Republika e Kosovës duhet ta ketë Institutin gjurmues të Krimeve.

Nga dr. Pajazit Nushi*

Domosdoshmëria e saktësimit kuantitativ

Lufta në Kosovën e dekadës së fundit të shekullit të kaluar, ka shkaktuar krime dhe shkatërrime përmasash të mëdha me strukturë të shumëllojshme dhe me pasoja të shumta të karakterit afatshkurtër dhe afatgjatë. Shkatërrimet kanë goditur rëndë të gjitha degët e ekonomisë së përbashkët, të asaj të çdo komune, familjeje dhe ekonominë individuale. Shtrirja e këtyre shkatërrimeve ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës, kuptohet, intensiteti dhe ritmi i tyre ka qenë i ndryshueshëm, kurse matja e saktë e pasojave konkrete të të gjitha formave të shkatërrimeve ende nuk është kryer saktësisht. Shkatërrimet më të mëdha janë kryer në kapacitetet njerëzore, ku krimet e bëra ndaj njerëzisë , sidomos në vitet 1998 e 1999 kanë qenë më të rëndat. Këto kanë përfshirë të gjitha moshat e dy gjinive, kanë goditur popullsinë e vendeve urbane e rurale duke qenë të drejtuara dhe të përqendruara ndaj popullsisë shqiptare në rend të parë, por nuk janë kursyer as pjesëtarët e kombësive të tjera të Kosovës (boshnjakët, romët, serbët, turqit, etj.). Rezultatet e deritashme të hulumtimeve sasiore të dëmtimit të kapaciteteve njerëzore janë me numër të papreçizuar. Nuk janë të preçizuara as shifrat e humbjeve njerëzore sipas formave të krimeve, madje as sipas moshës së tyre.

Struktura e krimeve ka qenë ndër më të ndryshmet: ka pas krime klasike (burgosje, vrasje e dhunime) si edhe krime formash të përshtatura qëllimeve politike të përbashkëta të njësive policore e ushtarake, si edhe të njësiteve paramilitare serbe. Në grupin e fundit të krimeve të organizuara dhe të kryera sipas objektivave të luftës së njësive dhe njësiteve luftarake dallohen ato të vrasjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimeve duke sajuar kategorinë e të zhdukurve dhe, krahas me këtë kategori dallohet kategoria e dëbimit të popullsisë shqiptare nga shtëpitë, pronat e vendbanimet, fshatrat dhe nga qytetet.

Ka patur edhe krime formash të kombinuara: burgosje - dhunim, dhunim- vrasje, dhunim - vrasje dhe zhdukje shenjash të krimeve etj. Krimet e formave të përmendura sa janë krime kundër njerëzimit, aq mund të thuhet se janë krime genocidale. Por, rezultatet e trajtimit konceptual dhe emërtimi preçiz i sistemit të koncepteve të krimeve të bëra kanë qenë të pakta: më shumë janë karakterizuar krime kundër njerëzimit, por ka pas edhe përcaktime të të njëjta krime sipas të cilave këto janë definuar krime genocidale.

Me fjalë të tjera edhe sot, më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, Kosova me organizatat dhe me institucionet profesionale e shkencore nuk është gjendje të saktësojë plotësisht as anën kuantitative dhe as atë kualitative të krimeve të bëra. Hulumtimet e krimeve të luftës së dekadës së fundit të shekullit njëzet kanë filluar menjëherë pas përfundimit të luftës. Hulumtimet e këtilla kanë patur karakter individual dhe institucional dhe janë kryer në nivele komunash dhe në nivel të Republikës së Kosovës; u botuan monografi krimesh në arsim, në shëndetësi,në religjion, etj. Janë botuar trajtesa shkencore, monografi, tekste magjistraturash e doktoratura të vlefshme; rezultatet e këtyre hulumtimeve rrallë herë janë të përputhshme, madje ka edhe aso botimesh ku dallimet në trajtimin numerik e klasifikues janë të nivelit të rëndësishëm statistikor. Dallimet e këtilla sasiore dhe mospërmbajtja e klasifikimit të tyre sipas parimeve klasifikuese të përcaktuara saktësisht i bëjnë rezultatet e këtyre hulumtimeve jo të plota dhe të dyshimta. Sot ndiejmë nevojë të saktësimit kuantitativ e përcaktimit të saktë kualitativ të të gjitha llojeve të krimeve të kryera. Kjo do të ishte e vërteta e qëndrueshme mbi krimet e bëra e synuar që nga fillimi i gjurmimit të krimeve.

E vërteta për krime të luftës dhe hulumtimi shkencor i saj

Përgjegjësia ndaj të vërtetës për krime është bërë entitet karakteristik i zhvillimit të mendimit shkencor. Hulumtimet e krimeve të bëra në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kroaci janë të shumta dhe me kalim të kohës ato janë verifikuar dhe janë thelluar duke përzgjedhur e zbatuar me përpikëri metoda e procedura adekuate. Rezultatet e hulumtimeve të këtilla kanë shpurë në thellimin e dijenive në të drejtën kriminologjike, në politikologjinë e sociologjinë e krimit, në antropologjinë e psikologjinë kriminalistike, etj. Është e vërtetë se këto vende, sidomos Kroacia, i kanë hyrë hulumtimeve të krimeve me një përvojë hulumtuese relativisht të stabilizuar dhe me organizim hulumtues të institucioneve shkencore. Rezultatet hulumtuese të krimeve në këto vende dallohen në botimin e dhjetëra vëllimeve të institucioneve të këtyre vendeve. Po ashtu, edhe në Kosovë janë botuar vëllime të tëra gjurmimesh të krimeve të bëra. Por, përmbajtja e vëllimeve të botuara në Kosovë me ca përjashtime ka ngelë kryesisht në nivele përshkruese. Vështruar nga kjo pikëpamje, dallimi i përmbajtjes së këtyre vëllimeve të botuara në Kosovë dhe i atyre botimeve për krime lufte në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë është i qenësishëm. Mendimi analitik - sintetik dhe procesi i atij induktiv në përcaktimin e përfundimeve të sistemuara të tyre është i palëkundshëm dhe, kuptohet, i përcjellë me shkallë të lartë të përputhshmërisë së rezultateve, me risi të identifikuara dhe, mbi këtë bazë, botimet e tyre gëzojnë nivel të lartë të reliabilitetit në botën e kriminologjisë, të informatikës hulumtuese dhe të teorisë së politikës mbrojtëse të vendit dhe të paqes përgjithësisht. Ky dallim ndërmjet botimeve tona dhe botimeve shkencore të vendeve të përmendura i atribuohet angazhimit të institucioneve shkencore për krime të këtyre vendeve. Botimet e para të këtyre institucioneve shkencore të vendeve të përmendura, madje jo vetëm të tyre, i kanë kaluar që moti shkallën deskriptive të krimeve të bëra të zhveshura nga premisat emocionale duke u futur vazhdimisht në eksplikacion ose në shpjegim të gjithanshëm të krimeve. Vlera e rezultateve të institucioneve për hulumtime krimesh është e lidhur drejtpërdrejtë me metodat e procedurat e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në nivel eksplorues e përgjithësues të tipareve esenciale të motiveve të krimit, të modeleve inkriminuese, të shkallës së urdhëresës komanduese dhe të zinxhirit të saj, të mjeteve, të mënyrës, të vendit, të kohës, të subjekteve të inkriminuara dhe të raporteve ndërmjet objektivave luftarake dhe të shkallës së agresivitetit të trupave të agresorit, të pasojave afatgjate dhe afatshkurtra të krimeve të bëra dhe përcaktimin e shkallës së ndërlidhjes së aksioneve luftarake të zhvilluara njëkohësisht ose njëra pas tjetrës në vende e regjione të ndryshme. Institutet e këtilla janë në gjendje të antiçipojnë ardhmërinë e familjeve, të vendbanimeve, të fshatrave dhe të qyteteve ku janë zhvilluar modalitetet dhe janë provuar mjetet shkatërrimtare të krimeve. Kosova nuk ka institucion shkencor të krimeve. Megjithëkëtë, në Kosovë janë botuar 23 botime nivelesh të ndryshme të gjurmimit të krimeve kryesisht nga vendasit por ka edhe nga gjurmuesit ndërkombëtar. Shumica e këtyre botimeve ka karakter individual. Ndërkaq, disa botime rezultatesh të organizatave humanitare e sociale kanë botuar rezultate të vlefshme të gjurmimeve të krimeve të bëra. Por, këto i kanë kryer gjurmimet e tyre sipas objektivave të veprimtarisë së tyre. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut gjurmimet e kryera dhe botimet e rezultateve të tyre janë kryer nga këndvështrimi I të drejtave dhe lirive të njeriut. Arkivi i Kosovës përmbajtjen e monografisë së krimeve të luftës e ka bërë nga këndvështrimi i veprimtarisë arkivore, etj. Pavarësisht nga vlerat e pamohueshme të tyre si edhe nga karakteri funksional i rezultateve të botuara, nomenklatura e rezultateve hulumtuese kombëtare dhe ndërkombëtare kërkon rezultate të institucioneve shkencore.

Nevoja e themelimit të Institutit hulumtues për Krime të Luftës në Kosovë

Krimet e luftës janë lloj i posaçëm i krimeve dhe këto përbëjnë objekt të posaçëm të hulumtimit shkencor. Veçoritë kryesore të këtyre krimeve kanë të bëjnë me karakterin relative masiv, fshehjen e rrugëve të zbulimit dhe humbjen sa më të madhe të komponentëve të identitetit të tyre; disa sosh kërkojnë kohëzgjatje të duhur në zbulim të tyre, që mund të zgjatë me vite, dekada, madje edhe me shekuj (në morgun e Prishtinës gjenden eshtra njerëzish, që supozohet se i përkasin pasojave të Luftës II Botërore të përfunduar para 65 vjetësh), etj. Këto janë disa veçori që tashmë janë të njohura. Në zbulimin e tyre punojnë antropologët, arkeologët, mjekët specialist për mjekësi ligjore, juristët, etj. Veprimtaria ekipore e tyre e siguron lëndën e sigurt të hulumtimeve të krimit dhe burimin e krimit. Hulumtuesit e këtillë janë kuadro të specializuara dhe me përvojë të qëndrueshme.

Ekzistojnë disa grupe argumentesh për themelimin e një institute për krime lufte në Kosovë. Ndër këto argument dallohen argumentet juridike, politike, historike, sociologjike, mjekësore, psikologjike, etj. Veprimtaria institucionale hulumtuese është veprimtari e organizuar, sistematike dhe e mbështetur në metoda dhe procedura hulumtuese, zbatimi i drejtë i të cilave siguron objektivitetin, validitetin dhe reliabilitetin e rezultateve hulumtuese. Rezultatet e një veprimtarie të këtillë kanë vlerë të pranueshme kombëtare e ndërkombëtare. Mbi themelin e rezultateve të këtilla zhvillohet mendimi politik, juridik, historik i një populli, kombi, etj. Historia e zhvillimit të institucioneve për hulumtime të krimeve të luftës së disa vendeve të tjera vërteton nevojën e themelimit të një institute për hulumtim të krimeve të luftës në Kosovë. Institucionet e ngjashme në Austri, në Izrael, në vendet nordike, etj. kanë argumentuar vlerën e veprimtarisë dhe rëndësinë e rezultateve hulumtuese të tyre. Lufta e zhvilluar në Kosovë gjatë viteve të decades së fundit të shekullit njëzet, sidomos operacionet luftarake të organizuara dhe të zhvilluara gjatë vitit 1998 - 1999, ka qenë luftë e ndërlikuar në shumë pikëpamje. Rezultatet e gjertanishme të hulumtimit të pasojave të kësaj lufte tregojnë për disa modalitete të njohura pak nga e kaluara luftarake. Dhunimet, foshnjat e kidnapuara nga duart e nënave të tyre, bartja disahershme e mbetjeve mortore prej një vendi në tjetrin, dhunimi - vrasja - hedhja në pus dhe dhënia zjarr posit, etj. janë disa nga modalitetet e krimeve, që posa kanë filluar të njihen nga ana e jonë. Ndoshta ka edhe modalitete të tjera, që vetëm hulumtimet suptile mund t`i zbulojnë. Mungesa e një institute të këtillë ka shkaktuar vonesa të mëdha të procesit të gjurmimit të krimeve, mospërputhje të dhënash, dyshime ,etj. Madje, ka ngjarë që në raportin e gjykimit të S. Millosheviçit të rishqyrtohet raporti dëshmues i autorëve P. Ball, Meghan Lynch e Amelia Hoover me titull: "Killings and Migration in Kosovo" - "Vrasjet dhe migrimet në Kosovë". Më në fund, instituti i këtillë mund të zgjerojë hulumtimet e tija duke marrë për objekt hulumtimesh format bashkëkohore të krimieve gjatë zhvillimit të shoqërisë së kosovës. Nuk ka mjedis social që, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit shoqëror - ekonomik e kulturor e atij mjedisi, zhvishet nga format e ndryshme të kriminalitetit. Rezultat e analizës së dukurive dhe proceseve kriminogjene kanë treguar se vetit kriminale zhvillohen dhe karakterizojnë si regjionet e gjera ashtu edhe ato të ngushta. Hulumtimi i dukurive, proceseve, subjekteve dhe objekteve të krimit duhet të bëhet pjesë përbërëse e zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës dhe më gjerë dhe e angazhimit të saj në rrjetin e gjerë të institucioneve ndërkombëtare që merren me ruajtjen dhe zhvillimin e paqes.

* Autori është kryetar i KMDLNJ-së, Prishtinë

KOMENTE