Nju Xhersi, (SHBA), 14 mars, NOA – Kriza politike dhe trazirat e datës 21 janar kanë bërë që kompanitë perstigjoze të matjes së riskut financiar të ulin në disa pikë vlerësimin për Shqipërinë. Kompania më e vjetër në botë e matjes së riskut financiar, “Dun & Bradstreet” (Dun & Bradstreet (D&B), pas datës 21 janar e rendit Shqipërinë në të njëjtin nivel me Kolumbinë, Republikën Dominikane, Indonezinë, Latvinë, Maqedoninë dhe Namibinë.
“Duke marrë si shembull Tunizinë, protestat anti-qeveritare të organizuara nga Partia Socialiste (PS), me 21 janar kaluan në protesta të dhunshme, me 4 të qëlluar për vdekje dhe me shumë të lënduar nga demonstruesit dhe nga forcat policore. Kjo shënoi një përkeqësim serioz të atmosferës politike në vend dhe zbehje e imazhit të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Dun & Bradstreet.
Sipas agjencisë ekonomike, marrëdhëniet e ashpërsuara mes qeverisë dhe opozitës, bojkotimi i Parlamentit, bllokimi miratimit të ligjeve pezulloi reformat kryesore në gjyqësor të kërkuara nga BE-ja, të cilat ishin një parakusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim.
“Qeveria po ashtu ka të bllokuar ngritjen e një gjykate administrative, duke humbur një fond prej 16 milion dollarësh nga SHBA (një fond zhvillimi dypalësh krijuar nga administrata e Bushit në vitin 2004). Reforma të tilla janë shumë të rëndësishme, jo vetëm në rrugën për në BE, por edhe në krijimin e një mjedisi tregtar të brendshëm bazuar në normat dhe praktikat e BE-së, në të cilin investitorët potencialë dhe tregtarët mund të ndjehen të sigurt për të bërë biznes. Meqë kriza politike e vendit nuk ka gjasa të zgjidhet së paku deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitit 2013, perspektivat për ndonjë përparim kuptimplotë në këtë drejtim duken të zbehta”, thuhet më tej në njoftim.
Dun & Bradstreet më tej shton se: FMN-ja ka paralajmëruar qeverinë e vendit që ajo ka nevojë për të mbajtur dhe vazhduar konsolidimin fiskal edhe në vitin 2011.
“Buxheti për vitin 2011 parashikon një deficit prej 3.5% të PBB-së, dhe me një planifikim mbi optimist të qeverisë për rritje reale të PBB-së me 5.5%, ne presim që ekonomia të rritet me 3,6% në terma real dhe parashikojmë një deficit të arsyeshëm prej 3,8% të PBB-së, që është shumë më tepër se sugjerimi i FMN-së për deficit prej 2,5%”, thuhet në fund të njoftimit.
“Dun & Bradstreetc” është kompani lider në dhënien e informacionit për investimet. Ajo është themeluar në vitin 1841 dhe furnizon me raporte dhe të dhëna mbi 150 milionë kompani ekonomike në gjithë botën që janë të interesuara për investime.
NOA/INA