English

Kryeministri: Tempulli i Ditës së Verës jo ndërtesë me kolona...

Elbasan, 14 mars 2011, NOA – “Shqiptarët e festojnë Ditën e Verës në të gjitha trojet ku ata ndodhen, por festa kulmon këtu në Elbasan”. Ky lajtmotiv e ka çuar në Ditën e Verës, ditën që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë dhe blerimin e pemëve e pjellorinë, kryeministrin Sali Berisha drejt Elbasanit, atu ku Dita e Verës shënon një ritual tradicional, tashmë i përvetësuar edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe nipi e të mbesat shefi i qeverisë bëri një shëtitje në këmbë në bulevardin qendror të Elbasanit, ku u takua dhe u përshëndet me qytetarët e shumtë që kishin mbushur bulevardin.

“Elbasani është sot kryeqyteti i gëzimit, i festës, i mirësisë, i bukurisë së shqiptarëve. Shqiptarët e festojnë Ditën e Verës në të gjitha trojet ky ata ndodhen, por festa e Ditës së Verës kulmon këtu në Elbasan. Kjo festë ka këtu edhe legjendën, edhe traditën më të konsoliduar. Pra, në rast se do të flisnim me fjalë të tjera - tempulli i Ditës së Verës ndodhet në Elbasan”, u shpreh kryeministri gjatë prononcimit të tij.

Duke ironizuar ndërtimet, shefi i qeverisë theksoi se tempulli i ditës së verës nuk është një ndërtesë me kolona, por është një fole në zemrën e qytetarëve të këtij qyteti, të cilët e festojnë si qytetarë, e festojnë si familje, e festojnë kolektivisht.

Kryeministri Berisha duke folur për panairin theksoi se ai është dëshmi e vitalitetit, e gjallërisë së shpirtit të lirë të qytetarëve të Elbasanit, e gjinisë së tyre krijuese.

“Ky qytet ka një treg të fuqishëm. Natyrisht përballet me problematikë jo të vogël, por, absolutisht, qeveria është e vendosur të bëj gjithçka në mënyrë që Elbasani të njohë nivele të reja zhvillimi”, nënvizoi kreu i qeverisë.

Por, kryeministri nuk la pa përmendur edhe projektin e madh infrastrukturor të qeverisë, ndërtimin e tunelit Tiranë-Elbasan, i cili sikundër ka premtuar kryeministri do të ndërtohet për plot 18 muaj nga nisja e tij.

Kryeministri e cilësoi këtë tunel si një prej veprave më monumentale në historinë e Shqipërisë. Ai e argumentoi këtë shprehje me këto fjalë: “Them më monumentale, sepse në rast se ka pasur tre ëndrra në transport, njëra ka qenë rruga Durrës – Morinë, tjetra është autostrada Tiranë – Elbasan me tunel në Qafë Kërrabe dhe e treta është rruga e Arbrit me tunelin e Qafës së Murrizit. Kam kënaqësi të madhe që shumë shpejt ne inaugurojnë fillimin e punimeve. Rruga përfundon pas 18 muajsh dhe inaugurojmë përfundimin e punimeve”, bëri me dije kryeministri.

Sipas tij autostrada Tiranë – Elbasan, që është edhe segmenti kryesor i Boshtit të Jugut, fuqizon në mënyrë thelbësore tregun e Shqipërisë, pasi bashkon dy qytetet më të mëdha të vendit, Tiranën dhe Elbasanin.

“Ajo krijon një treg ndër më të fuqishmit në Shqipëri dhe në rajon. Imagjinoni se çfarë vlerash fitojnë asetet e Elbasanit pasi distanca me qendrën e Tiranës të jetë 25 minuta. një distancë, pothuajse, sa shkojmë nga Kinostudio në Kombinat. Prej saj nuk merr vlerë të re vetëm qyteti i Elbasanit, por valorizohet Gramshi, valorizohet Librazhdi. Të gjitha zonat marrin një vlerë të re në kushtet e kësaj autostrade”, vijoi më tej kryeministri.

Kreu i ekzekutivit garantoi sakaq se qeveria e tij është shumë e vendosur të mbështesë fuqishëm biznesin e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, ku sipas kryeministrit amnistia fiskale do të jetë një prej ligjeve kyçe që do të vënë në jetë këtë premtim.

“Premtimi im dhe vendimi i qeverisë për të bërë një amnisti të plotë të biznesit, përveç atyre dy përjashtimeve që janë logjike, edhe ky është një bonus, një vlerësim i madh ndaj kontributit thelbësor të biznesit në jetën e vendit. Kam bindjen se kjo amnisti do të gjenerojë jo vetëm paratë, që ekonomistët i llogarisin në disa miliarda, por për mua kjo amnisti mbi të gjitha kjo do të gjenerojë energji të fuqishme, entuziazëm të madh tek biznesi i Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë për të shpejtuar investimet dhe zhvillimin në tërësi”, argumentoi kryeministri Berisha.

Si edhe në vitet e mëparshëm kryeministri u ndal edhe në Panairin “Dita e Verës 2011”, i çelur për këtë festë kombëtare, ku vizitoi stendat e tij dhe bashkëbisedoi me tregtarë e biznesmenë që ekspozonin produktet e tyre.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha tregoi impresionizmin e tij për prodhimet shqiptare të ekspozuara në këtë panair.

“Unë mbeta shumë i impresionuar nga prodhimet e ekspozuara dhe me këtë rast, duke i përgëzuar të gjithë, dua të garantoj Dhomën e Tregtisë së qytetit dhe pjesëmarrësit në këtë Panair se do të qëndrojmë në mbështetje të plotë prapa çdo lloj biznesi, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë vende pune, të punësojmë sa më shumë njerëz, të rrisim prosperitetin, mirëqenien, të zhvillohemi”, the shefi i qeverisë.

Në fund të prononcimit të tij kryeministri theksoi se vitin e ardhshëm kryebashkiaku i ri i Tiranës dhe kryebashkiaku i ri i Elbasanit do të bëjnë një axhendë të përbashkët për të festuar Ditën e Verës, duke theksuar se në bindjen e tij ai do të jetë kandidati potencial për Tiranën, Lulzim Basha.

mit/NOA

KOMENTE