Elbasan, 14 Mars 2011 NOA - Në Elbasan, qytetarët presin me padurim të përurohet fillimi i punimeve të një prej veprave më monumentale në historinë e këtij vendi, deklaroi sot nga ky qytet Sali Berisha, kryeministër i vendit, gjatë vizitës për Ditën e Verës, vizitë ku nuk u shoqërua nga pushteti vendor i zgjedhur.
Berisha iu referua pikërisht nisjes së pritshme të ndërtimit të tunelit Tiranë-Elbasan, kur tha: “Në rast se ka pasur tre ëndrra në transport, njëra ka qenë rruga Durrës – Morinë, tjetra është autostrada Tiranë – Elbasan me tunel në Qafë Kërrabe dhe e treta është rruga e Arbrit me tunelin e Qafës së Murrizit. Kam kënaqësi të madhe që shumë shpejt ne inaugurojnë fillimin e punimeve”.
Berisha premtoi se rruga përfundon pas 18 muajsh dhe inaugurojmë përfundimin e punimeve.
Kurse vuri në dukje se autostrada Tiranë – Elbasan, e cila është edhe segmenti kryesor i Boshtit të Jugut, fuqizon në mënyrë thelbësore tregun e Shqipërisë.
“Faktikisht, ajo bashkon dy qytetet më të mëdha të vendit. Ajo krijon një treg ndër më të fuqishmit në Shqipëri dhe në rajon” tha Berisha dhe shtoi:
“Imagjinoni se çfarë vlerash fitojnë asetet e Elbasanit pasi distanca me qendrën e Tiranës të jetë 25 minuta. një distancë, pothuajse, sa shkojmë nga Kinostudio në Kombinat”.
Shefi i qeverisë pohoi dhe se pre kësaj rruge të re “nuk merr vlerë të re vetëm qyteti i Elbasanit, por valorizohet Gramshi, valorizohet Librazhdi. Të gjitha zonat marrin një vlerë të re në kushtet e kësaj autostrade”.
a.k/NOA