English

Lançohet plani operativ “Java e sigurisë - mars 2011”

Prishtinë, 14 mars 2011, NOA – Me synimin për të reduktuar dhe parandaluar aksidentet rrugore policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash të përfshira në një plan të tërë sigurie. Sipas autoriteteve të policisë kosovare nga sot përgjatë një jave do të lançohet plani operativ “Java e sigurisë - mars 2011”, i cili do të zgjasë deri më 20 mars.

Aktivitetet e javës së sigurisë në rrugë synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe vetëdijësimin shoferëve në qarkullimin rrugor.

Kjo javë vë theksin në veçanti tek ndërgjegjësimi i shoferëve dhe bashkudhëtarëve, por do të promovojë gjithashtu edhe planet e veprimit për të parandaluar aksidentet në rrugë dhe për të rritur shkallën e sigurisë.

Gjatë javës së sigurisë-mars 2011, zyrtarët e policisë së Kosovës do të fokusohen në masat për mosrespektimin e përdorimit të rripit të sigurisë si dhe në përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit.

Aktivitetet policore do të realizohen përmes pikave kontrolluese, patrullimeve të lëvizshme dhe atyre në këmbë në mënyrë që të arrihet qëllimi final për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së të gjithë qytetarëve, shoferëve si dhe në respektimin e ligjit për sigurinë e qarkullimit rrugor.

mit/NOA

KOMENTE