English

Policia flet për vrasjen e të burgosurit në Shkodër

Shkodër, 14 mars 2011, NOA – Policia e Shkodrës ka ngritur një grup hetimor i cili edhe aktualisht gjendet në vendin e ngjarjes ku mbeti i vrarë sot një i dënuar që kishte dalë me leje provizore.

Drejtoria e Policisë Shkodër tha sonte për agjencinë NOA se “shërbimet policore dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e duhura proceduriale e hetimore, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes”.

Krimi ka ndodhur sot rreth orës 15.15, në lagjen “Guerrile”, të qytetit Shkodër, pikërisht në afërsi të vendit të quajtur Ndërmarrja e Kullotave, kur është vrarë me armë zjarri 46-vjeçari Astrit Kurmema, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër.

I ndjeri ishte i dënuar për veprën penale të “Vrasjes”. Ai vuante dënimin në Burgun e Shën-Kollit, Lezhë, por që nga data 10 mars 2011 deri më 15 mars 2011, ishte me leje nga drejtoria e këtij Burgu.

Nga veprimet e para hetimore, është bërë e mundur identifikimi i dy shtetasve, të dyshuar si autorë në kryerjen e këtij krimi, gjeneralitetet e të cilëve, për arsye hetimi nuk bëhen të ditura.

Policia konfirmoi për NOA se u bë shpallja në kërkim e dy shtetasve të dyshuar si autorë dhe po punohet për kapjen e tyre.

“Nga ana jonë po kryen te gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore, në lidhje me ngjarjen në fjalë, dhe materialet do i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, - u shpreh Drejtoria e Policisë Shkodër.

a.b/NOA

KOMENTE