Prishtinë, 14 mars 2011, NOA - Zyra e shtypit e Presidentit të Kosovës përgënjeshtron titullin e publikuar sot në 14 mars nga portali Koha.net: që shkruan se “Pacolli paralajmëron ndryshimin e Kushtetutës, akuzon mediat për komplot”. Zyra e shtypit sqaron se Presidenti Pacolli, pas insistimit të gazetarëve, në përgjigjen e tij, nuk ka përmendur fare fjalën “komplot”, e aq më tepër nuk ka folur për “komplot të mediave”.
“Konsiderojmë se titulli i vënë në këtë tekst nuk është pasqyrim i deklaratës së Presidentit”, bën me dije zyra e shtypit e Presidentit Pacolli.
Ajo thekson se në këtë konferencë ishin të pranishme shumica e mediave, duke nënvizuar se këto media kanë regjistruar deklaratën e Presidentit të Kosovës.
Zyra e Presidentit Pacolli shpreh keqardhjen për këtë shtrembërim që ka bërë kjo kompani.
mit/NOA