Tiranë, 14 mars, NOA – Partia Socialiste ka akuzuar kreun e qeverisë për përshirje në kontrabandën e naftës. Deputeti i PS-së, Taulant Balla tha sot se firmat që kanë kryer kontrabandë janë të njohura si sponsorizuese të Partisë Demorkatike.
“Ja pse Saliu dhe Luli vranë më 21 Janar, për të vazhduar të grabisin. Me paratë e llumit që shitej për naftë, kompanitë e përfshira në këtë super-mashtrim, janë të regjistruara si sponsorizuese të PD-së. Ja pse Saliu dhe Luli vranë më 21 Janar, për të vazhduar të grabisin”, tha ai.
Balla shtoi se kjo kompani ka fituar tenderin për furnizimin me naftë të gjithë institucioneve shtetërore, “ndërkohë që një tjetër prodhim i bizneseve të tij gjendet dhe konsumohet në tavolinën e ministrave gjatë mbledhjeve të qeverisë. Sali Berisha i ushqente këto biznese me para buxheti, për të pastruar paratë e pista të mashtrimit. Ndërsa amnistia fiskale synon t’i pastrojë përfundimisht milionat e llumit dhe pislleqëve të tjera”.
Balla u shpreh se dy kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve "Euroil" sh.a. dhe "Fisheku" sh.a. por edhe ndonjë kompani tjetër e përfshirë në këtë aferë mashtrimi kishin përfitim të dyfishtë.
“Nga një anë, përfitimi nga përzierja e kësaj mbetjeje me naftën cilësore dh shitjen e saj me çmim tregu në pika të ndryshme të karburanteve dhe nga ana tjetër përfitimi nga rimbursimi i TVSH-së, sepse sasia e "Vergine"-s figuronte e eksportuar jashtë Shqipërisë”, tha Balla.
Ai u shpreh se nga kjo kontrabandë rreth 50 mijë tonë mbetje të llumit me emrin "Vergine" janë shitur ne tregun e brendshëm me çmimin e naftës së cilësisë së mirë, “për t’i krijuar kompanive të Saliut 50 milionë euro fitim të drejtpërdrejtë”.
Sipas tij abuzimi tjetër ka të bëjë me rimburësimin që u jepte qeveria. “Dy kompanitë private janë rimbursuar nga shteti me disa milion euro TVSH për eksportin e llumit, pra "Vergine"-s, eksport i cili në fakt nuk është kryer kurrë.
Madje, kjo sasi parash, nga tatimet i është kthyer në para kesh në dorë dhe jo siç ndodh rëndom që t'i konsiderohej taksë e paguar për periudhën pasardhëse”, tha Balla.
Ai kërkoi reagimin e kreut të qeverisë për këtë kontrabandë dhe të institucioneve të tjera përgjegjëse. “Si ka mundësi që asnjë institucion në varësinë tënde: Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Tatimeve, Inspektoriati Qëndror Teknik nuk bënë asgjë për ta ndaluar këtë mashtrim. Ja pse Saliu e Luli vranë 4 njerëz të pafajshëm në 21 janar. Ja pse u vodhën zgjedhjet. Ja pse shqiptarët nuk do votojnë më kurrë për Saliun e Lulin që vrasin për të vjedhur”, tha Balla.
a.k/NOA