Tiranë, 14 mars 2011, NOA – “Ju uroj të gjithëve gëzuar këtë ditë vere dhe në radhë të parë të gjithë atyre që vuajnë, të gjithë atyre që përballen me varfërinë e papunësinë, të gjithë atyre që përballen me ankthin e çmimeve që rriten përditë, ndërkohë që fuqia e lekëve bie përditë”. Me këto fjalë i ka uruar sot qytetarët e Tiranës, kryebashkiaku Edi Rama, i cili me bashkëshorten e tij Linda Rama i është bashkuar festimeve në kryeqytet për Ditën e Verës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryeopozitari Rama uroi që 14 marsi të paralajmërojë një stinë të re shprese për Shqipërinë, jo vetëm nga pikëpamja natyrore, por edhe politike, ekonomike e sociale.
“Qoftë kjo një ditë që paralajmëron një pranverë shprese dhe qoftë pranvera që vjen, një fillim i ri për Shqipërinë e për shqiptarët, që e jetojnë jetën e tyre të përditshme, me të gjithë mundësitë që kanë, por që ende nuk i kanë mundësitë që meritojnë!”, deklaroi shefi i Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht me këtë shpresë që pas dimrit të gjatë të vijë vera e ngrohtë, si simbol i një të ardhmeje më të mirë u organizuan edhe aktivitetet e Ditës së Verës në Tiranë nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës.
Ky është i shtati vit që BT organizon aktivitete për këtë festë tradicionale që prej kohëve pagane.
Bashkë me zonjën e tij, kryebashkiaku Rama, ndryshe nga daljen në protestë përshkoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke uruar të gjithë shqiptarët, për një pranverë shprese dhe për një fillim të ri për ata vetë dhe Shqipërinë.
Aktivitetet nisën nga ora 10:00 dhe deri pasdite bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në arenën e muzikës dhe festimeve tradicionale.
Këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne performuan në skenën e Urës së Madhe, ndërkohë që zona pedonale e Bllokut ofroi argëtim për të rinjtë.
Nuk munguan edhe ballokumet e Elbasanit dhe veroret që Bashkia e Tiranës ofron çdo herë gjatë kësaj feste.
Por, për qytetarët që kishin pushtuar bulevardin kishte edhe produkte të shumë kompanive të njohura, të cilat në “Ditën e Verës” u ofruan falas.
Për fëmijët u organizuan koncerte, e lojëra të ndryshme.
Kryebashkiaku Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste udhëtoi edhe drejt Elbasanit gjatë Ditës së Verës, ku uroi nga afër për këtë festë qytetarët elbasanas, duke shpresuar që e ardhmja të jetë edhe më e mirë.
mit/NOA