English

Save the Children: 70 mijë fëmijë të zhvendosur janë në rrezik

Tokio, 14 mars 2011, NOA – Organizata botërore për mbrojtjen e fëmijëve “Save the Children” lëshon alarmin për zhvendosjen e të paktën 70 mijë fëmijëve në Japoni për shkak të tërmetit të fuqishëm dhe më pas cunamit që goditi ishullin japonez të premten. “Save the Children” bën apel për mbledhjen e një fondi prej 5 milion dollarësh për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve japonezë, të cilët nga tërmeti shkatërrimtar mund të kenë mbetur jo vetëm pa strehë, por edhe pa prindër.

“Shumë fëmijë kanë humbur shtëpitë e tyre dhe janë detyruar të strehohen në vende të pasigurta dhe të panjohura”, shpjegon koordinatori i emergjencës së organizatës Stephen McDonald.

Për shkak të tërmetit shkatërrimtar, bëri me dije McDonald, tashmë është potencial edhe rreziku që një numër i konsiderueshëm fëmijësh të kenë mbetur të ndarë nga prindërit dhe të afërmit.

Sipas policisë japoneze bilanci i viktimave të tërmetit dhe cunamit që goditi Japoninë ka mbërritur në të paktën 5 mijë të vdekur.

Vetëm në prefekturën e Miyagit, një nga më të goditurat prej cunamit të së premtes janë gjetur rreth 2 mijë trupa të pajetë.

Sipas hamendësimeve bilanci përfundimtar i viktimave mund të kalojë 10 mijë viktimat. Ndërkohë një tjetër tërmet i fortë me epiqendër 100 km larg Tokios tronditi sot kryeqytetin japonez.

Por, autoritetet japoneze kanë lëshuar alarmin për një tjetër cunam që do të godasë veriun e Japonisë.

mit/NOA

KOMENTE