English

Selmani: Demokracia e Re s’ka plan për bojkotim zgjedhjesh

Intervistë e kryetarit të Demokracisë së Re, z. Imer Selmani për radio Evropa e Lirë

Shkup, 14 Mars 2011 - Demokracia e Re nuk ka miratuar asnjë vendim mbi bojkotimin e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm dhe dëshirojmë që të ketë zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur, por ato duhet të jenë fer, thotë udhëheqësi i partisë opozitare Demokracia e Re, Imer Selmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Z. Selmani megjithë thirrjet nga Gruevski për tu kthyer në Kuvend, ju keni vendosur të veproni në mënyrë jashtëinstitucionale, por deri tani nuk kemi dëgjuar qartë a do t’i bojkotojë Demokracia e Re zgjedhjet?

Demokracia e Re nuk ka miratuar asnjë vendim mbi bojkotimin e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm dhe dëshirojmë që të ketë zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur, por ato duhet të jenë fer, të ndershme, demokratike, transparente dhe të besueshme. Pra, vullneti dhe dëshira e qytetarëve përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta të reflektojë në përbërjen e Parlamentit dhe mbështetjes së partive politike. Natyrisht që momenti ynë për të braktisur Kuvendin nuk ishte i rastësishëm, por u mblodhën të paktën tre arsye kryesore që do të numëroj ato - miratuan ligjin për regjistrimin dhe shohim se i njejti si funksionon, regjistrimi dështoi dhe nuk do të realizohet, për të njëjtat arsye që ne i patëm alarmuar. E dyta, kemi thënë se nëqoftëse hapet Kushtetuta duhet të inkorporohen edhe parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, do të thotë duhet të pamundësohet mbivotimi, majorizimi i shumicës në disa segmente ndaj joshumicës, respektivisht të parashihet parimi i Badenterit dhe kuptohet, arsyeja e tretë ishte poashtu fakti se kjo Qeveri me investime permanente në projekte monoetnike, projekte provokative të tipit të “Shkupi 2014” të cilat kulminojnë me kishën-muze në Kala. Edhepse ne si parti politike tentuam t’i ndalojmë këto projekte në Parlament, hasëm në vesh të shurdhër.

Doni të thoni se të njëjtën ditë kur këto çështje do të vendosen në rend dite në Parlament, ju do të ktheheni në organin ligjvënës?

Absolutisht po dhe jemi të gatshëm në mënyrë shumë konstruktive të marrim pjesë dhe t’i eliminojmë këto fenomene të këqija politike që shkatërrojnë dhe ndajnë shoqërinë tonë dhe rrezikojnë ardhmërinë e vendit.

Uashingtoni zyrtar disa herë ka shprehur shqetësim rreth lirisë së mediave, pavarësisë së gjykatave, tensionet ndëretike. Sipas kësaj që thoni, mund të konstatoj se edhe ju e ndani këtë shqetësim, do të thotë pajtoheni me vërejtjet të cilat edhe Ambasadori Reeker i vërtetoi pas kthimit nga Uashingtoni?

Absolutisht. Ne jemi plotësisht në vijë të njëjtë me komunitetin ndërkombëtar. Vetëm nëse me kujdes përcjellin porositë e BE-së dhe SHBA-ve ose të opozitës përfshirë edhe të Demokracisë së Re, poshtë-lartë, aty pajtohemi 99%. E vetme mbetet Qeveria e cila edhe më tutje mendon se Maqedonia është parajsë për mediumet, se të drejtat e njeriut janë në piedestalin më të lartë dhe se gjyqësia është plotësisht e profesionalizuar, do të thotë vetëm VMRO-DPMNE dhe BDI besojnë në këto përalla për të cilat ata me materiale të shtrenjta propaganduese tentojnë të bindin edhe opinionin.

Z. Selmani, ju ishit ministër i shëndetësisë në Qeverinë e Gruevskit, a kishit në atë kohë mosmarrëveshje dhe a ishte rëndë të përcillen politikat qeveritare?

Jo. Vitet 2006-2007 ishin vite kur me të vërtetë u bënë përpjekje të mëdha në drejtim të harmonizimit të legjislaturës tonë me atë evropiane, vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë sollëm 15 ligje të cilat kaluan në Parlament, me këtë u bë harmonizimi i legjislaturës së shëndetësisë me atë evropiane. Duhet të them se nuk ka pasur asnjë rezistencë në Qeverinë e atëhershme për faktin se ato projekte ishin të domosdoshme dhe të qëndrueshme, do të thotë ishin të nevojshme. Megjithatë, vlerësoj se kjo Qeveri, më saktë thënë VMRO-DPMNE-ja, ndryshimin e politikave e bëri diku para Samitit të Bukureshtit në vitin 2008 veçanërisht pas tij gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur nga një parti politike e cila në vitin 2006 fitoi në zgjedhjet e atëhershme në bazë të programës ekonomike, kaloi tërësisht në agjendë politike me antikuizim, me krijimin e armiqve dhe me propaganda që ndajnë shoqërinë në “të tanët” dhe “të juajit”, me protesta dhe antiprotesta, filluan t’i përzënë edhe ambasadorët dhe t’i emërojnë me tituj të ndryshëm. Kjo politikë filloi diku në vitin 2008.

Është krijuar përshtypja se BDI nuk ka frikë nga opozita shqiptare të cilën e cilëson si pasive. A bën Demokracia e Re ndonjë kombinim me parti tjetër shqiptare me qëllim të konsolidimit dhe rritjes së opozitës shqiptare?

Pozicioni i BDI-së në Qeveri është i mjerueshëm. Nëse vetëm i shikoni premtimet e tyre parazgjedhore të vitit 2008, nuk mund të gjeni asnjë përqind, asnjë premtim të madh të cilin ata kanë arritur ta realizojnë gjatë këtyre viteve sa janë në Qeveri. Nga ana tjetër, ata sillen si vasalë të mirë të VMRO-DPMNE-së duke votuar gjithçka në Qeveri dhe Parlament, me sërë projektesh të cilat janë në dëm edhe të vet votuesve të cilët votuan BDI-në në vitin 2008. BDI-ja është larg nga ajo përkrahje që e kishte në vitin 2008.

Kjo do të thotë se i hidhni poshtë spekulimet të cilat u paraqitën në disa mediume se Demokracia Re dhe BDI-ja janë të afërta dhe është i mundur bashkëpunim paszgjedhor?

Populli, votuesit do të tregojnë kush me kë do të duhet të bashkëpunojë, deshi apo s’deshi, pas zgjedhjeve. Mirëpo, kur flasim për kombinime parazgjedhore, ne kemi vetëm një koalicion, e ai është koalicioni me popullin, me qytetarët.

Të njohura janë qëndrimet e juaja rreth regjistrimit dhe nevojës për shtyrjen e tij, tani më është e sigurtë që ky proces do të shtyhet, por më intereson diçka tjetër. Pse është aq e rëndësishme për ju statistika, a nuk është më e rëndësishme si jetojnë shqiptarët në këtë shtet sesa përqindja e tyre?

Edhe njëra edhe tjetra janë çështje të rëndësishme, edhe si jetojnë shqiptarët dhe joshqiptarët në këtë shtet, por është e rëndësishme të kemi numra real sepse regjistrimi jorastësisht ka filluar si proces shumë më herët, që të numërohen të gjithë qytetarët në një shtet dhe të shohim si jemi me moshën, si jemi teritorialisht të shpërndarë dhe kuptohet, ajo që për shtetin tonë është kategori specifike, të nxjerrim kartën ose pasqyrën etnike në shtet, sepse nga këto numra më tej në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit varen shumë të drejta politike për shqiptarët dhe joshqiptarët në këtë shtet. Andaj, në këtë konotacion, ne dëshirojmë të ketë regjistrim fer i cili gjer në fund do të jetë gjithpërfshirës. Shihni, shumë është me rëndësi të dihet jo vetëm ajo që do të ndodh në ditën e regjistrimit, të rëndësishme janë edhe politikat e shtetit për dhjetë vitet e ardhshme.

Disa herë gjer më tani keni deklaruar se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO, mirëpo ky proces është i bllokuar për shkak të problemit rreth emrin me fqinjin tonë jugor. A mendoni se kjo zvarritje e këtij procesi mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike në vend?

Natyrisht se do t’i përkeqësojë. Unë nuk mund të paragjykoj numra, por sigurisht do t’i përkeqësojë. Fundi-fundit, emri i shtetit nuk është çështje vetëm e popullit maqedonas. Sa më shumë që flitet se emri i shtetit duhet të jetë çështje vetëm e popullit maqedonas, nga ana tjetër kjo jep një porosi se shteti është vetëm i maqedonasve. Atëherë si duhet të ndjehen shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët në këtë shtet, ata nuk kanë të drejtë të vendosin për ardhmërinë e tyre? Nëse në një moment kemi dallim aq të madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve në atë si e shikojmë perspektivën e shtetit, do të kalojnë dy-tre vite dhe ne do të kemi ndarje brenda në shtet sepse nuk do të shohim njëjtë ardhmërinë. Këtu është problemi, ne duhet patjetër ta zgjedhim problemin rreth emrit jo sepse këtë e kërkojnë grekët dhe duhet të kuptohet se këtë kompromis nuk e bëjmë për shkak të grekëve. Ne duhet të kuptojmë se këtë kompromis e bëjmë për ardhmërinë e shtetit, ardhmërinë e qytetarëve dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Por, pikërisht për këtë çështje nuk ka konsensus të brendshëm?

Jo vetëm që nuk kemi konsensus, nuk kemi as konsensus ndëretnik, sepse askush asnjëherë nuk ka dashur të ketë konsensus. VMRO-DPMNE-ja sikur në një mënyrë këtë çështje e ka marrë për vete dhe natyrisht me këtë kartë ata edhe i fitojnë zgjedhjet dhe kështu mendojnë se ata janë pronarë të emrit të shtetit. Nga ana tjetër, ju nuk keni konsensus as brenda maqedonasve, mes opozitës dhe pushtetit, andaj kjo çështje është më tepër e theksuar se sa realisht është problem në shoqërinë tonë, respektivisht kjo çështje ngërthen shumë politikë për shkak të matematikave dhe përfitimeve partiake, ndërsa në fund nga ky problem më së shumti do të vuajë qytetari i rëndomtë.

KOMENTE