Që “Shqipëria një dhe njëmijë” është libër i një shkrimtari kontrovers, aq më mirë. Aq më mirë edhe ngase ky shkrimtar kontrovers është vetë Indro Montanelli zëmadh: gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë.
Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një agjit-propi të caktuar ideologjik që fryn kur-e-kur faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, ose më shumë se ndonjë, punë-pa-mend që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë gati monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot.
Së paku prej 1937-s, kur shkruante për lexuesit italianë një numër "korrespondencash" dhe "reportazhesh" që ia bënë emrin të njohur si gazetar: nga Spanja, nga Finlanda, nga Polonia, si dhe nga Shqipëria (Shqipëria e vjetër dhe e re, shënime udhëtimi, në "Nuova Antologia" shënime që do të shndërroheshin në këtë libër këtu), Montanelli ishte "fashist i thekur", sikurse kolegët e tij e quanin. Mbase për këtë arsye më vonë një pjesë të këtyre "korrespondencave" dhe "reportazheve" ai nuk donte t'i kujtonte.
Për shembull: ato për fushatën famëkeqe në Greqi. Por edhe këtë libër për Shqipërinë dhe shqiptarët, me sa dukej, ai donte ta fshinte nga kujtesa. Le më një novelë që e pati fshehur thuajse xhelozisht, Lukë Preka, dy bejlerët (1942), për të cilën as donte të dëgjonte. Mbas 1993-shit, kur nga Shqipëria u interesuan të merrnin prej tij një lejë për botimin në shqipe të këtij libri, Shqipëria një dhe njëmijë, ai refuzoi në heshtje, me ngulm.
Më 1997-n, mandej, shkroi për Shqipërinë dhe shqiptarët pohime që i zbrisnin ata poshtë thuajse për të njëjtat veti për të cilat i pati ngritur lart, madje duke u kënduar himn, te Shqipëria një dhe një mijë. Dukeshin punë-pa-mend, nga ato për të cilat ai njihej.
Nga ato që pati formuluar, fjala që vjen, edhe për "revolucionin hungarez", duke mos e kuptuar aspak pozicionin e kardinalit Mindszenthy si mbrojtës i kurorës së Shën Stefanit. "Zoti e di kush ia shtiu në mend Montanellit një marrí të tillë", do të ngrinin supet vonë kolegët e tij. Një monarkist që pa-gjë-të-keq tradhton monarkinë?
Një fashist që pa-gjë-të-keq gdhihet komunist? Kur në vitin 2000 një lexues në "Corriere" e pyeti në pati shkruar artikuj mbi fushatën italiane të 1941-shit kundër Greqisë, ai i ra mohit me qetësi, duke iu përgjigjur se qe fjala për ndonjë "korrespondencë të rastit", kur çështja qe për plot 28 artikuj, pra për një libër të rërë!
Mirëpo i tillë qe Montanelli. Ose, më saktë, e tillë duket të jetë tipologjia e personazheve si ai: shkrues tejmase të aftë, por me një aftësi që u shërben edhe për të mbuluar e përligjur në mënyrë polemike, madje duke ngulmuar se vetëm ata kanë të drejtë, shpërdredhimet e tyre politike, historike, institucionale, të cilat i bëjnë që të shpenzojnë beau style dhe maîtresse për të shkruar njëherësh gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje.
Të merremi vesh: të njëjtën tipologji do të kishte përfaqësuar Montanelli edhe sikur më 1938-n, ndërsa shkruante "korrespondencat" për Shqipërinë dhe shqiptarët, të kishte qëlluar jo fashist, por komunist.
Pozicionimi i shkrimtarit që vjen në gazetari nga fusha e historisë e vuan këtë rrezik: vetë të shkruarit e historisë, gjithsesi, një trajtë ideologjie është, sado të duket befasues ky pohim. Ideologjitë – më shumë fatmirësisht se fatkeqësisht - ndryshojnë dhe, rrjedhimisht, ndryshon edhe historia që historiani shkruan.
Kështu ka ndryshuar ajo gjithmonë, sikurse na mësonte Finlay në leksionet e tij të Cambridgeit: do të mjaftonte të kujtonim vetëm prej antikitetit varganin Herodot- Tuqidid- Tit Liv- Tacit- Kas Dion etj.
Dhe po kështu do ta ndeshnim këtë të vuar, si ndryshim hipostazash ideologjike, thuajse pa përjashtim tek e gjithë sëra disa shekullore e atyreve që i quajmë "udhëtarë në Orient", prej të cilëve, meqë ra fjala, nuk kemi shijuar ende sa do të duhej piktoreskun mbi Shqipëri dhe shqiptarë.
Nëse i pari syresh prej Gadishullit italik pati qenë një Pietro della Valle (1672), Indros i bie të jetë njëri ndër të fundmit trashëgimtarë të zhanrit magjepsës. Edhe, nëse udhëtarët e qëmoçëm, të kohës së Della Valles e mbas tij, lakmonin aq fort bizaritë dhe tuhafëritë, deri edhe duke shkruar udhë-përshkrime të rrejshme për vise që kurrë nuk i patën shkelur dhe popuj që kurrë nuk i patën parë, Montanelli padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t'i mohohet.
Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që në këtë libër të tijin ndeshen, me gjithë traditën e bizarive apo tuhafërive prej të cilave as ai, si bir i denjë i udhëtarëve të qëmoçëm italikë, nuk ka hequr dorë plotësisht, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t'ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane.
Duke e zhveshur prej leskrave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte.
Rrjedhur prej tyre, edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, madje befasueshmërisht të pazvenitura, që për mendimin tim ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përjetshme te shqiptarët.
Duke qenë se të vërteta të tilla nuk ndodh të nxirren në dritë prej çdofarë gazetashkruesi të huaj, ato i bëjnë nder zbuluesit dhe formuluesit të tyre duke vërtetuar se "montanellët" nuk mbijnë në gazetari oreçast, mbrapa çdo kioske gazetash.
Për mua, si përkthyes, ka përbërë përjetim kërshëror marrja dhe dhënia me një tekst të këtillë, të një inteligjence aspak të zakonshme, sikurse janë tekefundit e shumta e teksteve montanelliane. Mbas përkthimit të Fallacit (2000) dhe të Malapartes (2003), me emrin e Montanellit kam provuar kënaqësinë të bashkërendis ngjitmas njëri-tjetrit, në përkthimet e mia, tre emrat madhorë të gazetarisë, përkatësisht shkrimtarisë dhe historisë, italiane.