Ankara, 14 mars 2011 NOA – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një takim miqësor me z.Bakir Izetbegoviq, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politikë në rajon, për domosdonë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në interes të perspektivës evropiane të rajonit dhe për çështje tjera. Gjatë takimit mes kryeministrit Thaçi dhe z.Izetbegoviq u shtrua nevoja e tejkalimit të barrierave, të cilat janë duke penguar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në mesë të dy vendeve. Republika e Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina kanë potenciale për kultivimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe kultivojnë tradita të bashkëpunimit, është vlerësuar në takim. Thaçi ritheksoi vizionin dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të rajonit, në interes të paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike.
e.t/NOA